Selami: Shteti ndau 8,5 milion euro për regjistrimin ndërsa janë kthyer 900 mijë euro

Shkup, 30 mars – Prej Buxhetit të shtetit janë miratuar 8,5 milion euro për vitet 2018, 2019, 2020, 2021 për zbatimin e regjistrimit, derisa anulimi i procesit regjistrues në prill ka kushtuar 500.000 euro, informoj zëvendësdrejtori Ilmi Selami.

Ai në ngjarjen e sotme ku u publikuan të dhënat e Regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe apartamenteve për vitin 2021, sqaroi se shpenzime më të mëdha janë bërë për laptop, ndërsa në Buxhet janë kthyer 900.000 euro.

“Prej Buxhetit të shtetit janë miratuar 8,5 milion euro për vitet 2018, 2019, 2020, 2021 për zbatimin e regjistrimit, dhe shpenzimet më të mëdha janë bërë për laptop, por kjo është investim që sot po kthehet. Anulimi i regjistrimit në prill ka kushtuar 500.000 euro, sepse e gjithë makineria e regjistrimit në fund të marsit ishte në funksion, ndërsa anulimi ndodhi një ditë para fillimit të regjistrimit në teren”, deklaroi Selami.

Ai shtoi se kanë përfunduar të gjitha aktivitetet e regjistrimit në buxhetin e planifikuar, si dhe se i gjithë procesi i regjistrimit i ka kushtuar çdo qytetari në vend katër euro.

“Ne ishim këmbëngulës dhe bindës në vërtetimin e nevojës dhe përfitimeve të përdorimit të metodës së kombinuar për kryerjen e Regjistrimit dhe e konfirmojmë këtë sot duke publikuar të dhënat përfundimtare si vendi i parë në rajon me rezultate të qarta nga Regjistrimi i kryer me sukses i popullsisë, amvisërive dhe apartamenteve në vitin 2021”, nënvizoi ai.

Selami u shpreh i kënaqur me mënyrën se si është kryer operacioni specifik statistikor, i cili, siç tha ai, ka përfshirë profesionalizmin dhe përkushtimin e pjesëmarrësve.