Sela: Fqinjët ta njohin njëri-tjetrin, politika duhet të sjellë kompromise

Shkup, 18 prill – Fqinjët duhet ta njohin njëri-tjetrin. Duhet filluar me atë që do të njihen pakicat në mënyrë të ndërsjellë, në Maqedoninë e Veriut pakica bullgare dhe në Bullgari pakica maqedonase. Ky do të ishte një hap i mirë, potencoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend.

Në pikëpamje të problemit i cili ekziston midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Sela vlerëson se aktet si hapja e qendrës kulturore “Vanço Mihajllov” në Manastir nuk kontribuojnë që sa më shpejtë të hiqet bllokada nga pala bullgare për fillimin e negociatave me BE-në.

“Si politikan nuk mund ta pranoj kur disa shtete të caktuara kur hapen këto tema flasin se kjo do të ishte çështje e brendshme. Parë në përgjithësi, çështja e pakicës është çështje e të drejtave të njeriut dhe sipas kësaj nuk mund të jetë e drejtë e brendshme e ndonjë shteti në botë. Nga ana tjetër, mendoj se u komplikua ky proces pa nevojë. Gjithmonë kur dëgjoj se ekspertët do të gjejnë zgjidhje, unë nuk mendoj se duhet të presim zgjidhje nga ekspertët. Ekspertët bëjnë shkencë, ndërsa në shkencë nuk ka kompromis. Ata që bëjnë kompromis janë politikanë dhe ata duhet të gjejnë kompromis. Vlerëson se çështjet e hapura duhet të zgjidhen në një moment tjetër. Politika duhet të sjellë kompromise. Duhet të gjendet zgjidhje”, tha Sela.

Ai i bëri thirrje Bullgarisë ta heq veton dhe Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë sa më shpejtë të jenë anëtare të Bashkimit Evropian, pasi, siç tha, BE-ja nuk është vetëm union i vendeve-anëtare për disa interesa ekonomike, por më shumë shihet si union i cili gjithashtu ka edhe rëndësi gjeopolitike.

Në pyetjen e gazetarëve rreth grevës së punonjësve të arsimit, Sela tha se kjo nuk do të ndodhte nëse do të pranohej amendamenti i Aleancës për Shqiptarët për rritjen e pagës minimale, për rritjen lineare të pagave në të gjithë sektorët.

“Më duket absurde dhe hipokrite nga Qeveria që tani e luan rolin e viktimës pasi SASHK-u nuk e ka pranuar ofertën prej 2.500 denarë rritje të pagave, ndërsa Qeveria në kohën kur rritej paga minimale, në mënyrë të njëanshme, të paskrupullt e hodhi poshtë amendamentin e Aleancës për Shqiptarët, me të cilin parashihej rritje lineare e pagave dhe mësimdhënësve, administratës dhe të gjithë të punësuarve të tjerë”, tha Sela./Zhurnal.mk