SASHK ndërpreu grevën, por fillojnë protestat e KSL-së, kërkohet harmonizim i pagave

Shkup, 26 prill – Ndonëse dje u arrit marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim, kjo nuk do të thotë se në përgjithësi grevat e protestat do të ndërpriten në tërësi.

Prej sot do të fillojnë protestat e Konfederatës të Sindikatave të Lira (KSL). Këto protesta do të zgjatin deri të premten, ndërsa do të protestohet para Qeverisë dhe para Kuvendit, informon Zhurnal.

Siç paralajmëruan nga KSL, protestat do të mbahen vetëm një orë, dhe atë nga ora 16:00 deri në 17:00.

Kryetari i KSL, Bllagoja Rallpovski, thotë se do të protestojnë derisa nuk përmbushen kërkesat e tyre.

“Kërkojmë harmonizimin e pagave me protesta e me presione të ndryshme, por si duket nuk ka mirëkuptim. Për këtë nga nesër dalim në rrugë çdo ditë nëse nuk ka ndonjë ndryshim. Çdo ditë nga ora 16:00 deri në ora 17:00 derisa të realizohen kërkesat tona”, tha dje Rallpovski./Zhurnal.mk