Samiti i BE-BP në Tiranë

Vendimi i Presidentit të Këshillit Europian, për ta zhvilluar samitin e ardhshëm Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor në Tiranë në 6 Dhjetor për kryeministrin Rama është ngjarje historike. Sipas Ramës, kjo jo vetëm është vlerësim, por dhe tregues i imazhit që ka fituar Shqipëria dhe se për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj.

“Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot, Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbreslënës”, shkruan kryeministri.

https://www.facebook.com/ediramaal/posts/662089025286762

Për 2022, kjo ngjarje sipas Ramës është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League në shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për të dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian & Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.