Sa energji elektrike prodhon aktualisht Kosova?

Sasia e prodhuar aktualisht nga termocentralet e vendit që bashkarisht është diku afro 800 megavatë-orë, dhe sasia nga kapacitetet ekzistuese te energjisë së rinovueshme (afro 200 MWh), deri sa të mbajë kohë e mirë dhe pa të ftohtë të theksuar, është më se e bollshme për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës, që në muajt verorë rëndom sillet nga 750-800 megavatë-orë rrymë. Dimri do të diktojë rrethana të tjera elektroenergjetike në Kosovë, kur pritet të ketë goxha mungesë të rrymës. A do të ketë para Kosova për ta importuar energjinë që do t’i mungojë, mbetet të shihet.

Nga 1 shtatori 2022 (ditë e enjte), në Kosovë nuk ka kufizime të energjisë elektrike. Me rikthimin në process të punës, ose me t’u rikthyer në prodhim njësia B2 të Kosovës B, me kapacitetin në rrjet prej 260 megavatë-orësh, pas remontit të planifikuar që zgjati thuaja një muaj dhe rikthimit të bllokut A3 të Kosovës A (130 megavatë-orë kapaciteti në rrjet), KEK-u ka shtuar prodhimin vetanak për 390 megavatë-orë, që i bie se prej 1 shtatorit KEDS-KESCO, ka në dispozicion këtë energji shtesë (390 MWh), plus po kaq nga njësia B1 e Kosovës B dhe nga blloku A4 i Kosovës A (260 plus 130MWh), që vazhdimisht prodhuan edhe gjatë ditëve të krizës, ose gjithsej, diku afro 800 megavatë-orë (saktësisht 780 MWh).

Kësaj sasie të rrymës duhet shtuar edhe energjinë elektrike nga kapacitetet gjeneruese të rinovueshme, që bashkarisht janë diku rreth 200 megavatë orë (Parku i energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës 105 megavatë-orë, plus ai i Kitkës në Anamoravë me 36 MWh, si dhe diku mbi 60-70 megavatë orë nga hidrocentralet ekzistuese kosovare.

Kjo sasi, deri sa të mbajë kohë e mirë dhe pa të ftohtë të theksuar, është më se e bollshme për të përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës, që në muajt veror rëndom sillen nga 750-800 megavatë-orë rrymë.

Në këto rrethana, dhe me këtë nivel prodhimi Kosova, edhe pa energjinë elektrike të bllokut A5 të Kosovës A, që do të ishte diku rreth 130 megavatë-orë ( A5-shi, tash e një muaj është jashtë procesit të prodhimit për shkak të planifikimit për t’u bërë remonti kapital), përmbushë në tërësi nevojat e veta për konsum të energjisë elektrike.

Ndërsa, po të racionalizohej paksa shpenzimi, të kursehej pra aty ku ka mundësi të bëhet, Kosova në orët e natës ka mundësi reale të eksportojë një sasi të rrymës, ose ta deponojë në KESH, sipas marrëveshjeve ndërmjet të dy koorporatave elektroenergjetike të Kosovës dhe të Shqipërsisë, për ta këmbyer/shkëmbyer pastaj në ditët e vështira të dimrit, kur realisht do të ndihen mungesat e energjisë elketrike të prodhuar nga kapacitetet vendore dhe kur, në Shqipëri, situata elektroenergjetike rëndom përmirësohet si rrjedhojë e të reshurave më të shumta.

Këmbimi i këtillë elektroenergjetik ndërmjet të dy vendeve, është më se i domosdoshëm. Këtë e kushtëzon struktura e disfavorshme e kapaciteteve elektroenergjetike të Kosovës që dominohet diku rreth 96 për qind nga termocentralet, por edhe struktura e kapaciteteve elektroenergjetike të Shqipërsisë, që dominohet qind për qind nga hidrokapacitetet, të cilat kanë vështirësi në muajt me thatësira të theksueshme, sidomos gjatë verës.

Një ndihmesë e madhe për sistemin elektroenergjetik të Kosovës muajve të dimrit do të ishte rikthimi në prodhim i bllokut A5 i termocentraleve “Kosova A”, që siç u tha më lartë është jashtë funksionit, madje që nga 19 korriku i këtij viti. Te kjo njësi prodhuese me kapacitet rreth 150 megavatë-orë energji elektrike në gjenerator dhe me fuqi në rrjet diku rreth 130 megavatë-orë është paraparë të bëhet remonti kapital, ai i përgjithshmi dhe që është më i detajuar dhe më kompleks.

Me remontin kapital të një blloku të termocentraleve nënkuptohet remonti dhe rehabilitimi i turbinës dhe i kazanit si dhe i shumë stabilimenteve të tjera. Si i tiilë, parashihet të zgjasë goxha kohë më shumë se sa remontet e planifikuara të rëndomta vjetore.

Në fakt, te blloku A5, në bazë të planifikimeve të MWhershme që bëhen në KEK për mirëmbajtjen e stabilimenteve dhe për rehabilitimin e tyre, ishte paraparë të bëhet remonti kapital që në muajt e verës të vitit 2021. Mirëpo, meqenëse më 2021, Qeveria aktuale kishte shpërfaqur edhe publikisht synimin për t’i rindërtuar tërësisht tri blloqet e termocentraleve “Kosova A” (bllokun A3, A4 dhe A5), pas analizave të ekipeve profesioniste të KEK-ut dhe sugjerimeve të ekspertëve, që meqenëse është paraparë si vizion rindërtimi i Kosovës A, pra edhe i bllokut A5, ishte vendosur me qëllim të racionalizimit të mjeteve financiare, që A5-shi të presë rindërtimin. Ishte rezonuar atëbotë në qarqet profesioniste dhe vendimmarrëse të KEK-ut se pse të shpenzohen para jo të pakta për remont kapital të A5-shit, kur Qeveria ka parashikuar rindërtimin e tërësishëm të këtij blloku.

Dhe, meqenëse parashikimi i Qeverisë për të rindërtuar Kosovën A, më 2021 thuaja se “ra në ujë”, edhe rindërtimi i A5-shit si vizion thuajse u zbehë tërësisht, madje edhe u harrua si parashikim.

Në këtë mënyrë, në KEK kushtimisht iu rikthyen nevojës së domosdoshme për ta bërë remontin kapital në këtë njësi prodhuese. Por, punët për këtë remont, u prolonguan për vitin vijues, pra për 2022-shin, për çka në KEK tani kishin shpallur tender publik për të gjetur punëkryesin më të favorshëm.

Buletini Ekonomik ka shpjeguar gjerësisht shkakun e vonesës së nisjes së punëve për remontin e këtij blloku. Sipas ekspertëve në KEK, tenderi publik për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti.

“Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kalldajës të bllokut A5”, titullohej tenderi, ku ishin paraparë në një vend riparimi i turbinës dhe kalldajës (kazanit).

Por, në këtë shpallje publike, praktikisht nuk është paraqitur asnjë pretendent për të bërë remontin kapital në A5-sht, sado që vlera e paraparë e tij ishte 6 milionë euro. Dihet, remonti kapital në stabilimentet e termocentraleve të Kosovës, si në Kosovën A, ashtu edhe në Kosovën B, iu është besuar deri më tash ekskluzivisht kompanive të jashtme, më së shumti atyre polake që kanë përvojë të madhe në stabilimentet prodhuese të rrymës në bazë të qymyrit, por edhe kompanive të tjera të shumta nga bota, që kanë reputacion, dëshmi dhe besueshmëri që punën e bëjnë siç duhet.

Si rrjedhojë, KEK-u në njëfarë mënyre edhe i kushtëzuar, më 8 korrik 2022, ka njoftuar për anulimin e këtij tenderi të thjeshtë, për shkakun se siç është thënë “për riparimin e njësisë A5 nuk është pranuar asnjë ofertë”. Dhe, për të shpejtuar gjetjen e një punëkryesi të besueshëm dhe të dëshmuar për remontin e detajuar të A5-shit, tani KEK-u ka ndarë punët, për remontin e turbinës ka vendosur të kërkojë punëkryes të veçantë, ndërsa për remontin e kaldajës, punëkryes tjetër të specializuar. Dhe, për këto punë remontuese, KEK-u tashmë veç e veç ka dërguar nga 5-6 ftesa te punëkryesit me reputacion të njohur tashmë, për këto angazhime anembanë Europës dhe më larg. Po priten ofertat e tyre, dhe inxhinierët e KEK-ut kanë besim se brenda 10-15 ditësh do të vendoset se kujt do t’i besohet remonti kapital në turbinë dhe kujt puna në kalldajën e bllokut A5.

Nëse punët remontuese, pastaj nisin, në shtator, pritet që diku në dhjetor të rikthehet në prodhim blloku A5 i termocentraleve “Kosova A”, i rivitalizuar tërësisht. Me kthimin e tij, Kosova do të ketë plus 130 megavatë-orë energji elektrike, që do të thotë kapacitetet prodhuese (termocentralet A dhe B me 5 blloqet e tyre si dhe kapacitetet gjeneruese të energjisë së ripërtëritshme që janë diku rreth 200 megavat—orë) do të prodhonin bashkarisht diku rreth 1.100 -1.200 megavatë-orë. Kjo, pak a shumë do të ishte gjendja reale teknike dhe prodhuese në kapacitetet gjeneruese të energjisë elektrike në vend.

Nëse, punët remontuese do të përmbylleshin në dhjetor, 130 megavatë-orët që do t’i shtoheshin konsumit të rritur kosovar në muajt e dimrit, do të ishin një ndihmesë e madhe, si për shtetin, që do të kursente goxha para për importin e kushtëzuar të rrymës, por edhe për konsumatorët, që domosdo do të kishin më pak reduktime gjatë janarit, shkurtit e marsit. Këto janë parashikimet për punë normale të kapaciteteve ekzistuese, pa të papritura dhe pa ndodhë ndonjë defekt i mundshëm teknik.

Por, në stabilimentet e stërvjetëruara, megjithë remontet goxha të rregullta dhe të shpeshta që KEK-u sivjet ua ka bërë njësive prodhuese aktuale, dhe megjithë mirëmbajtjen standarde të tyre, mund të ndodhin edhe defekte prej më të ndryshmeve teknike, që do të thotë ndërprerje e paparashikuar e prodhimit. Në këto raste, pastaj, përkeqësohet domosdo situata elektroenergjetike dhe domosdo aplikohen kufizime të konsumit të rrymës.