Ruskovska: Kamçevi është dakorduar me Prokurorinë për rastin “Perandoria”

Shkup, 29 prill – Biznismeni Orce Kamçev me dakordim ka pranuar fajin për rastin “Perandoria” dhe është dënuar me një vit burg, thotë shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Villma Ruskovska.

Ajo në intervistë për “Top Tema” që do të emitohet sonte në televizionin “Tellma” sqaron se Kamçevi ka dorëzuar kërkesë për dakordim para 15-të ditëve, ndërsa para dy ditëve dakordimi ka kaluar edhe në gjykatë. Përskaj dënimit me burg, Kamçev do të paguajë edhe 5,1 milion euro (rreth 320 milion denarë) buxhetit shtetëror përmes DAP.

“Propozim-dakordimi me Kamçevin është pranuar të mërkurën (para dy ditësh). Nga kompania “Kara” në fakt “Orka Hollding” do të paguhen 320 milion denarë (rreth 5,1 milion euro). Kompania është e Orce Kamçevit. Këto mjete duhet të paguhen në DAP. Propozim-dakordimi u verifikua nga gjykatësi i procedurës paraprake. Kjo do të thotë se nuk do të niset procedurë kundër tij, ndërsa ai u dakordua me dënim me burg prej një viti”, thekson Ruskovska në intervistë.

Ajo sqaron se nisma është dorëzuar para 15-të ditëve.

“Atje ku është paraparë dënim me burg prej pesë vjet, miratim duhet të jap prokurori publik. Biseduam me prokuroren kompetente Lile Stefanova dhe dorëzuam propozim deri te prokurori shtetëror Lubomir Jovevski. Për shtatë ditë morëm miratim, ndërsa në ndërkohë ai ka paguar mjetet në DAP”, thotë Ruskovska.