Rudina Hajdari tregon veprimin e Edi Ramës që pritet t’i kushtojë rëndë Shqipërisë

Ish-deputetja Rudina Hajdari shprehet se vendi ynë nuk ka patur progres në kushtet që janë kërkuar për tu bërë pjesë e BE-së.

Sipas saj, nëse ka pasur një ‘gjysmë po’ nga ana e BE sa i përket integrimit të Shqipërisë, gjithmonë ka pasur kushte nga ana tjetër për të luftuar krimin e organizuar e korrupsionin.

“Në çdo herë që është thënë një gjysmë po, ka patur edhe kushte të qarta për Shqipërinë sikundër ka qenë për Maqedoninë. Në çdo vendim nëse ka qenë një gjysmë po ka pasur kushte kundër krimit, korrupsionit, luftë për të rregulluar administratën shqiptare, ka një zhbërje të reformave, qoftë ato elektorale, të krimit të organizuar”, tha Hajdari në Repolitix.

Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, thotë se Ballkani i Hapur do të vërë në pikëpyetje rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Sipas saj, e gjithë kjo nismë nuk ka qenë transparente që në fillim, pasi nuk është publikuar marrëveshja që është bërë mes tre vendeve pjesëmarrëse. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE do vuhet në pikëpyetje, pasi sipas Hajdarit në këtë nismë nuk janë të gjitha vendet e Ballkanit, por është pjesë edhe Serbia e cila ende nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë.

“Proces i cili ka qenë jo transparent. Kur është lancuar në Novi Sad është quajtur si një mini shengen, por marrëveshja që është bërë mes tyre, nuk është publikuar dhe parë nga asnjë. Ku është ky dokument dhe çfarë ka ndërmend ky akt themelimi për Open Balkan.

Procesi integrimit nuk po ecën përpara, ka patur bllokada, nuk ka patur progres real. Ka zgjedhur një rrugë tjetër, po ta shohësh në të gjitha nivelet, është një projekt i rrezikshëm, për orientimin e Shqipërisë drejt BE. A mund të jetë ky një projekt që na e ndryshon kursin sa i përket integrimit në BE. Në momentin që ne nuk përfshijmë të gjitha vendet e Ballkanit, kur ti zgjedh një kurs alternativ sa i përket procesit të Berlinit. Do vë në pikëpyetje të madhe nëse Shqipëria do ecë drejt BE, duke marrë parasysh që Vuçiç ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë, e ka bërë të qartë që në këtë mes është duke mbështetur linjën ruse”, vijoi Hajdari.

Ndalur në përplasjet brenda PD-së, Hajdari shprehet se opozita nuk duhet të varet nga një vendim i gjykatës se kush do t’a kontrollojë partinë, por duhet të mblidhen rreth një misioni.