Rritja e çmimeve rëndon jetën e qytetarëve!

Shkup, 7 shkurt – Rritja e çmimeve të produkteve po vështirëson jetën e qytetarëve sepse po pamundësohet mbijetesa. Ekziston dallim i madh mes të ardhurave dhe shpenzimeve mujore, kjo pastaj përkthehet me dëshpërim masiv të qytetarëve që i detyron të largohen nga vendi. Nga ana tjetër, rritja e eksportit në BE mund të shihet si sinjal që shumë shpejt do të rritet eksporti ushqimor në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht në Maqedoninë e Veriut. Mungesa e punëtorëve të shumtë në sektorin e bujqësisë bën që vendet të jenë të varura për gjërat elementare bazike për jetesë nga eksporti i jashtëm. Kjo mbase ndikon negativisht në ekonominë e vendit, gjë e cila pastaj përcillet me pasoja edhe për xhepat e qytetarëve, pasi për ushqimet që vijnë nga jashtë ka kosto më të lartë e pastaj edhe çmimet janë më të larta shkruan Zhurnal.

Rritja e çmimeve rëndon buxhetin familjar, ekspertët paralajmërojnë përkeqësim të situatës –

Çmimet e larta të produkteve ushqimore, qirasë dhe shërbimeve po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për familjet në Maqedoninë e Veriut. Profesoresha e ekonomisë, Aferdita Kaliqi, e ftuar në emisionin Ftese në Studio, tha se kjo situatë nuk prek vetëm familjet me të ardhura të ulëta, por tashmë edhe familjet e mesme po e ndiejnë peshën e rritjes së kostove të jetesës. Sipas saj, një ndër problemet më të mëdha është çmimi I lartë I energjisë elektrike, I cili ka bërë që shumë familje të mos arrijnë të përballojnë faturat mujore.

“Ka rritje të disa produkteve, të ushqimeve që kanë arrit në një masë të madhe të rritjes dhe ka shkuar në 27.1%brenda dy viteve, sipas statistikave në vendin tonë, tjerat janë edhe energjia elektrike që ndodh një rritje e çmimi çdo gjashtë muaj. Mendoj se rryma elektrike ka ndikuar më tepër, aq shumë ka ndikuar sa që popullat kthehet tek përdorimi I drurit ose mënyra të tjera për tu ngrohur dhe familjet mundohet të gjejnë një zgjidhje për të harxhuar më pak sidomos dimrit”, tha Afërdita Kaliqi, eksperte e ekonomisë.

Kaliqi theksoi se nëse nuk ndërmerren masa për të frenuar këtë krizë, situata mund të rëndohet edhe më shumë, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut në “mëshirë”, rrezikon rritja e çmimeve të ushqimit –

Shpenzimet sa shkojnë e rriten dhe në këtë mënyrë jeta bëhet edhe më vështirë e përballueshme për qytetarët që janë pa të ardhura ose me të ardhura minimale. Çdo vit më shtrenjtë e më keq. Rritja e pagës minimale dhe pensioneve në vlerë shumë minimale krahasuar me rritjen enorme të çmime nuk ndihmon asgjë, duke filluar nga produktet bazë e deri tek të gjitha produktet dhe shërbimet tjera.

Ndërsa në bursat botërore janë ulur çmimet e lëndëve të para, burimeve të energjisë, madje dhe produkteve ushqimore të gatshme për shitje me pakicë, në Maqedoninë e Veriut po ndodhë e kundërta. Në vend që të shënojnë ulje çmimet priten të rriten, e kjo do të rrit edhe më shumë dëshpërimin e qytetarëve.

Çfarë pasoja mund të sjellë rritja e shpenzimeve?

Nga kjo kuptohet që kemi të bëjmë me një standard jetese ende jo në nivelin e dëshiruar, pasi shpenzimet nuk janë në përputhje me të ardhurat, dhe në këtë formë nga ky proporcion jo i drejtë krijohen pakënaqësi të shumta në funksionim si dhe në përmbushjen e detyrimeve që janë edhe esenciale. Me një pagë minimale nuk mund të jetojnë as dy persona apo një çift, pastaj edhe planifikimi familjar vështirësohet edhe më shumë. Jo rastësisht vendi është në varfëri ekstreme pasi në shumë familje ka vetëm nga një të punësuar që merr pagë minimale që minimizon mundësitë e përmbushjes së detyrimeve familjare.

Krahas, shpenzime të rritura edhe pagat minimale në harmonizim me pagat tjera duhet të rriten në të kundërtën, poqë nuk u rriten pagat do të rritet dëshpërimi i qytetarëve. Posaçërisht të rinjve që nuk do vendosin të vazhdojnë të mbijetojnë në këtë vend me gjithë këto vështirësi, por do të zgjedhin të largohen e ta braktisin vendlindjen në kërkim të një jete normale, jo më të mirë sepse këtu nuk e kanë fare mirë.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.

Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë.

Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk