Rreziku nga përsëritja e tensioneve në veri, mobilizion EULEX-in

Afro 100 policët specialë me të cilët pritet të përforcohet EULEX-i do t’u nënshtrohen trajnimeve për të kontrolluar turma nëse eventualisht Kosova përballet me trazira.

Pjesëtarët e EULEX-it pritet të zbarkojnë së shpejti në Kosovë.

Ata do të përfshihen në patrullime të përditshme dhe do të trajnohet për të kontrolluar turmat nëse Kosova do të përballet me trazira ndëretnike.

EULEX-i situatën aktuale të sigurisë në Kosovë aktualisht e vlerëson të qetë, mirëpo sipas zëdhënëses së këtij misioni Donika Berisha-Rizaj situate është e brishtë.

“Aktualisht situate e sigurisë në Kosovë është stabile, por ajo mund të ndryshojë shpejt. Për momentin nuk ka shqetësime të konsiderueshme të sigurisë që do të aktivizonin EULEX-in si garantuese të sigurisë në Kosovë. Misioni vazhdon të jetë vigjilentë dhe i monitoron të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim në sigurinë e Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin Berisha-Rizaj.

Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi Kosova nuk është në atë gjendje sat ë ketë nevojë për mbrojtje ushtarake, por ai e vlerëson të ndjeshme situatën e sigurisë, përcjell Telegrafi.

“Është e vërtet se situatë është e ndjeshme, por jo aq shumë sa të ndikohen nga ngjarjet në Ukrainë. Por situatë po ndikohet nga një psikozë që ka përfshirë botën për ndonjë luftë të mundshme hibride”, deklaroi Kajtazi.

Pos Kosovës, BE-ja ka shtuar prezencën e saj policore edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.