Rrëfimi tronditës i 12 vjeçares: “Qep 20 këpucë në ditë, bukën e ha thatë dhe në shkollë më tallin se jam jetime”

“U mërzita shumë që iku babi, sepse nuk kemi njeri tjetër tani, askënd përveç mamit. Babi na mungon shumë (qan)… Ne flejmë këtu bashkë me mamin, se tek dhoma tjetër nuk rrihet. Dritaret janë pa xhama e plastmas. Shtëpia është e çarë kudo, pikon uji.”

Kjo është gjendja e mjerueshme me të cilën përballet Denisa 12 vjeçe. Që prej vitit të kaluar ajo ka mbetur jetime, në varfëri, duke lënguar… Denisa jeton në një shtëpi me qira në Laknas, me nënën Mirianën e të vëllanë, Eduartin. Kushtet e tyre janë kaq të vështira, saqë “gjellë” e përditshme është buka e thatë ose bukë me vaj e kripë.

“Ne hamë bukë të thatë se nuk kemi. Bukë me kripë hamë. Çdo ditë presim mamin, e hamë natën bukë të thatë. Ne presim mamin, se nuk ka kush të na përcjellë për shkollë.”-tregon për “Shqiptarët për Shqiptarët” Denisa.
Veç varfërisë, ky ëngjëll i vogël duhet të vuajë dhe përqeshjet e talljet në shkollë.

“Kur shkoj në shkollë rri vetëm, sepse të gjithë më tallin. Më thonë ik se ti je jetime, nuk ke bab. Unë ia nis të qaj, se tjetër nuk kam çfarë bëj.”-tregon Denisa.
Familja jeton në një shtëpi me qira dhe mbi shpatulla ka dhe një kredi për të paguar, para të cilat u morën nga kryefamiljari për të luftuar me sëmundjen e kancerit.

Për t’i dalë në ndihmë nënës që punon në një fabrikë, Denisa me të vëllanë qepin pjesë këpucësh në shtëpi. Mes lotëve, 12 vjeçarja tregon se qep përditë 20 të tilla…
“Po unë s’kam çfarë të bëj, duhet me jetu… qëkur ka vdekur babi, nuk kemi pasur. Ne qepim këpucë për të fituar bukë. Unë qep 20 në ditë. 30 lekë janë dy copa. Bëjmë këpucë gjithë ditën, nuk luajmë me lodra. Pastaj rri gjithë natën që të bëj detyrat, nuk më del koha. Duhet me fitu bukën e gojës, ne nuk fitojmë shumë, por aq sa të fitojmë… të ndihmojmë mamin që të lajë dhe kredinë që mori babi për të shëruar veten. Do të luftojmë që të jetojmë kështu, por… (qan)”-thotë vogëlushja.

Kjo vajzë e vogël ka vetëm një lutje për shqiptarët.
“Babi më thoshte se do të blejmë një shtëpi e do të ndreqemi, por… i lutem Elvis Naçit, që të kemi një shtëpi a dhomë ku të jetojmë.”