Rrëfim tronditës i Hotit: Më kontaktuan nga Serbia, kërkuan 200 mijë euro për ta gjetur babanë gjallë
I biri i Ukshin Hotit, Andini ka treguar se i janë kërkuar 200 mijë euro nga Serbia, kinse për t’i gjetur babanë të gjallë.
Ai thotë se ka grupe kriminale në Serbi që kërkojnë para, duke mashtruar për informacione për të pagjeturit.
“Më ka ndodhur edhe mua”, shtoi ai.
“U ndodh shumë familjarëve të tjerë në Kosovë, sidomos moshave të shtyra, nanave e baballarëve që janë në moshë të shtyrë. Ende sot i thërrasin në telefon, tentojnë me forma të tjera…u kanë kërkuar shuma të mëdha parash”, tha Hoti.
“Mua më ka ndodhur vitin e kaluar, kam dëgjuar shumë raste të tjera në Kosovë”, theksoi ai në T7.
“Mua më ka ndodhur më 2020, kur në RTK ishte një lajm kinse Ukshin Hoti, mund të jetë i varrosur në Lubeniq. Përmes Universitetit të Prizrenit më ka kontaktuar dikush prej Serbisë, e fillimisht 200 mijë euro e pastaj 400 mijë euro e kështu me radhë, për me na e dorëzuar të gjallë”, tha Hoti.
Hoti tha se aktualisht 1617 persona janë të zhdukur që nga lufta në Kosovë.