RMV ndryshon ligjin për amnistinë

Shkup, 16 gusht – Draft versioni i paralajmëruar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ligjin e ri për falje është në fazën përfundimtare. Amendamenti më domethënës që është paraparë është se Presidenti do të mund të falë vetëm për dënim, e jo edhe për ndjekje penale të disa personave të caktuar.

Arsyet për miratimin e ligjit të ri për faljen rrjedhin para së gjithash nga mangësitë dhe zbrazëtirat ligjore në ligjin ekzistues për faljen, nga aspekti i zbatimit praktik të tij, si dhe nga nevoja për rregullim më të saktë të çështjeve të caktuara të rregulluara me ligj dhe nga një rregullim më i përshtatshëm legjislativ i çështjes kështu njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë për agjencinë e lajmeve MIA-n.

“Me projektligjin rregullohen afati dhe llojet e faljes, veprimi i faljes, personat e autorizuar për paraqitjen e kërkesës për falje, si dhe procedurën dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen. Një nga ndryshimet më domethënëse është se Presidenti mund të falë vetëm për dënim, e jo për ndjekje penale. Risia e dytë e rëndësishme e parashikuar në Projektligj është krijimi i Komisionit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, i cili përgatit mendim me shkrim të arsyetuar për kërkesën, të cilin Ministria e Drejtësisë së bashku me raportin për kërkesën ia paraqet Presidentit. Me këtë vendim pritet të kapërcehen rreziqet e mundshme që lidhen me të drejtat diskrecionale të ministrit të Drejtësisë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Falja si institut është një nga kompetencat themelore kushtetuese të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcaktuar me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Falja gjendet edhe në nenin 114 të Kodit Penal, i cili rregullon çështjet materiale dhe juridike të faljes. Kuadri ligjor që rregullon në detaje këtë çështje është krijuar për herë të parë në vitin 1993 dhe është ndryshuar dhe plotësuar dy herë në vitin 2009 dhe 2016.