Rënia e popullsisë / Pajaziti: Të Rinjtë ikin shkaku i papunësisë

Shkup, 31 mars – Rënia e numrit të popullsisë për rreth 10% dhe plakja e saj, sipas të gjitha gjasave, ka të bëjë me ikjen e të rinjve për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës për t’u realizuar. Sipas sociologut, Ali Pajaziti, veç kësaj, rënia e numrit të popullsisë ndodh edhe për shkak të zvogëlimit të familjes, rënies së natalitetit dhe zgjedhjen e një përqindje të konsiderueshme të të rinjve që të jetojnë si beqar.

“Shifrat e rënies së popullatës në RMV brenda këtyre 20 viteve, rreth 200 000 minus, besoj që kanë të bëjnë me pakënaqësinë, në veçanti të popullsisë rinore, e cila rreth 40% është e papunësuar dhe rreth 50% nuk sheh ndonjë ardhmëri këtu në Maqedoninë e Veriut, por e shohin ardhmërinë në vendet perëndimore.”,- tha sociolog-antropolog, Ali Pajaziti.

Konformë të dhënave nga regjistrimi i popullsisë për vitin 2021, mosha mesatare e popullsisë është rreth 44 vjeç. Dominojnë ekonomitë familjare me dy anëtarë, përkatësisht rreth 161 mijë familje janë dyanëtarëshe dhe rreth 103 mijë ekonomi familjare janë një anëtarëshe. Numri i ekonomive familjare me pesë e më shumë anëtarë është shumëfish më i vogël.