Rendevski: Përqindja e lartë e antitrupave tek qytetarët nuk do të thotë se është arritur imunitet kolektiv
Shkup, 22 mars – Të dhënat nga analiza e testimit gjegjësisht skriningut që e zbatoi Ministria e Shëndetësisë tregojnë se tek të anketuarit të cilët nuk janë vaksinuar shkalla e pranisë së antitrupave sillet nga 75 deri në 76 për qind, ndërsa te subjektet që kanë qenë të vaksinuar prania e tyre e antitrupave është 85-86 për qind, gjë që tregon se një numër i madh i atyre që nuk janë vaksinuar kundër Kovid-19, ose kanë mbijetuar ose kanë rënë në kontakt me virusin, por kjo nuk do të thotë se është arritur imunitet kolektiv, deklaroi për MIA-n zëvendësministri i Shëndetësisë, Vladimir Rendevski.
Ai theksoi se për atë nëse kemi arritur imunitet kolektiv vendos Komisioni për Sëmundje Infektive në bazë të analizave. Megjithatë, sqaroi Rendevski, parametri më i rëndësishëm është analiza e numrit të të sapoinfektuarve, të vdekurve dhe të hospitalizuarve dhe në bazë të kësaj rekomandohen masa epidemiologjike.
“Sa i përket situatës aktuale epidemiologjike dhe masave aktuale epidemiologjike janë në korrelacion me disa variabla që janë ekzaminuar në gjashtë javët e fundit dhe janë objekt ekzaminimi në vende të tjera evropiane. Këto janë numri i të sapoinfektuarve, të vdekurve dhe të shtruarve, pra barra e sistemit shëndetësor. Bazuar në këto variabla, ekziston një algoritëm i veçantë që përcakton rrezikun epidemiologjik, pra situatën epidemiologjike në çdo vend. Bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, propozohen masa epidemiologjike. Analizat në vend tregojnë se në lidhje me këto tre parametra jemi aktualisht në fazën e gjelbër dhe për këtë arsye po zbatohen masat e duhura epidemiologjike që janë në korrelacion me fazën e gjelbër. Analizat monitorohen në nivel ditor dhe javor dhe varësisht nga një ulje apo rritje e caktuar e këtyre parametrave do të planifikohen edhe masat epidemiologjike në të ardhmen”, theksoi Rendevski.
Ai potencoi se vaksinimi kundër Kovid-19 është shtyllë për përmirësimin e gjendjes imunologjike.
“Prandaj dje filloi karvani për vaksinim kundër Kovid-19 dhe në këtë pikëpamje duhet të veprojmë fillimisht me pacientët më të rritur dhe pacientët me komorbiditet, ndërsa më tej edhe me pacientët tjerë të cilët janë vaksinuar me dy doza, ndërsa ka kaluar kohë më e gjatë se tre muaj nga vaksinimi i fundit. praktikisht të jepet imunizim dhe iniciativë për buster dozë tek këta pacientë”, deklaroi për MIA-n zëvendësministri i Shëndetësisë, Rendevski.

