Raporti i punës së gjykatësve, nga 20 mijë lëndë ka zgjidhur 13.600
Shkup, 29 Mars – Pjesa më e madhe e gjykatave të vendit kanë arritur me kushtet ekzistuese ta zgjidhin fluksin e madh të lëndëve të reja dhe të zgjidhin një pjesë të lëndëve të vjetra që nuk janë zgjidhur me vite.
Ky është konstatimi i përgjithshëm i gjykatësve për punën e tyre gjatë kësaj periudhe, sipas të cilëve, problemi më i madh i tyre mbetet, mungesa e gjykatësve dhe të administratës gjyqësore, si dhe të pajisjeve bashkëkohore teknike për xhirimin audio-vizuel.
“Edhe më tej mbetet perceptimi se me emërimin e gjykatësve të rinj dhe plotësimin e vendeve të lira të gjyqtarëve, me kuadër të mirë cilësor, me edukimin e tyre të vazhdueshëm si dhe me përmirësimin e gjendjes financiare do të mund të arrihen më shumë rezultate në gjyqësor.”,- tha kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.
Gjykata e Apelit është ajo e cila nuk ka arritur të zgjidh fluksin e madh të lëndëve. Prej gjithsej 20.000 lëndë, ka zgjidhur 13.600 prej tyre.
“Nuk kemi arritur t’i dalim deri në fund rreth 320 lëndë që kanë ardhur si rezultat i fluksit të madh të lëndëve të dorëzuara, që do të thotë se aktualisht çdo gjyqtar ka rreth 8 lëndë të cilat i punon, që tregon se gjykatësit tanë në përgjithësi janë të angazhuar shumë dhe për shkak të mungesës së gjykatësve, nga ana tjetër gjykata punon më ngadalë.”,- deklaroi kryetarja e Gjykatës së Apelit, Lidija Dimçevska.
Efikasitet më të madh të zgjidhjes së lëndëve shënohet tek Gjykata Themelore Shkupi-1, e cila prej fillimit të këtij viti ka arritur të zgjidh mbi 20% të lëndëve, ku shënojnë 6.786 lëndë të zgjidhura më shumë se vitin e kaluar.
“Edhe pse një pjesë e gjykatësve dhe të punësuarve të administratës gjyqësore kanë qenë të infektuar me Kovid gjatë kësaj periudhe dhe edhe pse një pjesë e gjykatësve kanë qenë të shkarkuar, gjykata ka arritur t’u përgjigjet detyrave.”,- tha gjykatësja raportuese, Mirjana Lazarova Trajkova.
Kjo gjykatë po ashtu dallohet edhe nga numri i madh i vendimeve të konfirmuara gjyqësore nga ana e apelit, por edhe për faktin se kjo gjykatë, për dallim nga të tjerat, është më e hapur dhe më transparente ndaj mediave.

