Raporti i ekspertizës për rastin Dehari – akuza dhe kundërakuza të ministrave Haxhiu dhe Sveçla me Prokurorinë Speciale

Prokuroria Speciale e Kosovës më 12 prill ka bërë të ditur se ka pranuar raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Siç kishte njoftuar Prokuroria raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe, ndërsa në njoftimin e 12 prillit u bënë publike dy konkluzione të raportit.

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë reaguar profil të ADN-së përveç të atij, Astrit Dehari”.

“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë e kafeines dhe mos prani të etanolit”.

Ndërkaq, sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhej se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.

Bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale kishte thënë se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Por pas njoftimit të Prokurorisë Speciale lidhur me raportin për rastin Dehari, kanë ardhur reagimet e para nga Ministria e Drejtësisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministria e Drejtësisë ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës se ka manipuluar dhe propaganduar me ekspertizën e Institutit Zviceran për rastin e Astrit Deharit.

Sipas MD-së, nga Prokuroria Speciale janë publikuar vetëm dy nga konkluzionet e raportit, nga pesë sa janë gjithsej.