​Ramosaj: Komunikim i zorshëm me qeverinë, rruga Deçan-Plavë nuk duhet të diskutohet

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj konsideron se asnjëherë më parë nuk ka qenë më i vështirë komunikimi me qeverinë qendrore sesa me ekzekutivin aktual të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.Ramosaj thotë se viti 2022 është karakterizuar me mungesa të theksuara si në buxhet ashtu edhe në përkrahje qeveritare.

Por, përkundër kësaj i pari i Deçanit deklaron se kjo komunë ka arritur që të realizojë projekte të rëndësishme që rrisin kualitetin e jetës së qytetarëve.

“Komunikimi është i zorshëm edhe pse ti adreson kërkesa, shkresa të ndryshme, kërkesat që me pas takime, për të ardhur për të vizituar Deçanin me pa për së afërmi se çka po bëhet dhe çka ka nevojë, është një komunikim i zorshëm që në praktikën time për aq sa jam duke punuar në Komunë, nuk e kam pas me ndonjë qeveri tjetër… Duhet t’i trajtojë të gjithë qytetarët barabartë se në fund të fundit këta janë qytetarë të shtetit të Kosovës e që gjithsecili iu takon me ua dhënë hisen e vetë sepse të gjithë jemi kontribuues e aksionar në buxhetin shtetëror”, deklaroi kryetari i Deçanit.

Në një intervistë për KosovaPress, i pari i Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë se nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar janë mbështetur vetëm për projektin e Qendrës së Trashëgimisë Kulturore edhe Historike, ndërsa për vitin aktual nuk kanë marr ndonjë mbështetje të theksuar.

“Viti 2022 ka qenë një vit me mungesë të theksuar të buxhetit sidomos prej nivelit qendror ku kemi pas mbështetje me vetëm 1 projekt që ka të bëjë me Qendrën Rinore dhe një pjesë të buxhetit që ka të bëjë me Qendrën e Trashëgimisë Kulturore edhe Historike. Buxhetet e tjera janë buxhete të bartura, më vjen mirë që një pjesë e projekteve janë realizuar përfundimisht, një pjesë e projekteve kanë ecur bukur mirë sipas planit dhe dinamikës të tyre. Mirëpo, me këtë që është arritur mundësitë buxhetore që i kemi pasur, kam qenë tejet i kënaqur sepse kam qenë për së afërmi dhe jam ballafaquar me vështirësitë dhe mungesat buxhetore të mëdha”, theksoi ai.