Ramazani – muaji i shenjtë i myslimanëve: Agjërimi përmban një dritë të veçantë, për të cilën kemi nevojë veçanërisht në periudhën e kaluar

Shkup, 30 prill – Për besimtarët e fesë islame vazhdon agjërimi 30-ditor i Ramazanit, periudhë në të cilën ata abstenojnë nga ngrënia dhe pirja nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit. Ramazani është muaji i nëntë në kalendarin islamik. Sipas fesë islame, agjërimi, i cili është një nga shtyllat e Islamit, është obligim për të gjithë besimtarët për pastrimin e tyre fizik dhe mendor. Besimtarët duhet të distancohen nga fjalët dhe veprat e këqija me qëllim të pastrimit të përgjithshëm njerëzor. Agjërimi është obligim fetar për çdo besimtar të rritur, mysliman të shëndetshëm, por nuk është i detyrueshëm për gratë e sëmura, shtatzëna dhe punëtorët që bëjnë punë të rënda fizike. Fillimi i Ramazanit çdo vit zhvendoset 10 ditë mbrapa, pra në vitet e brishtë me 11 ditë, në krahasim me vitin paraardhës, për shkak të dallimit mes kalendarit islam dhe atij gregorian.

Sadush Tahiri, hoxha në Xhaminë e Re në Çair, në një prononcim për MIA-n ka sqaruar se fjala agjërim do të thotë të përmbaheni nga ngrënia dhe pirja, por ky është vetëm një dimension i agjërimit, sepse nënkupton edhe heshtje të plotë të njeriut. Dimensioni i dytë është ngritja shpirtërore dhe fizike, që ndjen njeriu. Ai thekson se fjala agjërim do të thotë ngritje dhe nëse nuk kemi arritur ngritje gjatë agjërimit, atëherë agjërimi do të jetë i paplotë.

Ai theksoi se agjërimi daton në vitin e dytë të Hixhrës (kalendarit islam) nga shpërngulja e Profetit, por thotë se kjo nuk do të thotë se agjërimi nuk ka ekzistuar që nga dita e parë e krijimit të njeriut.

“Agjërimi është i pranishëm edhe në popujt e tjerë në forma dhe faza të ndryshme, derisa Zoti i Madhërishëm e plotëson atë me ardhjen e Profetit Muhamed s.a deri në 30 ditë në të cilat myslimanët ndihen plotësisht të përmbushur dhe i kushtohet rëndësi e veçantë. Agjërimi përmban një dritë shumë të veçantë, përmban një aromë ose, le të themi, myshk, që nuk mund të përshkruhet, sidomos kohët e fundit kur bota tashmë është zhytur në oqeanet e errësirës për shkak të së cilës ne nuk e shohim më veten, agjërimi na bën që të shohim veten. Agjërimi na bën të kërkojmë paqen në botë, për t’i dhënë drejtësi njerëzve. Agjërimi i bën njerëzit të kuptojnë se ata jetojnë me ne në paqe dhe ne jemi vetëm për paqen dhe sigurinë në botë. Ky është agjërimi”, tha Tahiri në bisedën me MIA-n.

Ai thekson se gjatë agjërimit vërejmë se në trupin tonë ndodh një ndryshim nga aspekti kozmologjik, sepse siç thotë ai, në atë periudhë ndryshon edhe Universi.

“Gjatë agjërimit vërejmë se mendimet tona janë ndryshme, shpirti ynë është ndryshe, shohim pothuajse ndryshe, ndonjëherë edhe mendojmë pak më ndryshe. Agjërimi është një dritë që për 30 ditë na bën të rilindim nga një embrion që e quajmë Kuran ose Libër i Zotit, veçanërisht në Natën e Kadrit, natën e shpalljes së Kuranit famëlartë, bëhet edhe më e qartë se kush jemi ne dhe çfarë jemi. Në Kuran Zoti thotë: “Ngjyra e Zotit, a ka ndonjë që pikturon më mirë se Zoti? Kjo ngjyrë hyjnore nuk vlen vetëm për ne myslimanët, por kjo ngjyrë hyjnore vlen për të gjithë njerëzit në mbarë botën.” Është e çuditshme se si trupi ynë mund të zbulojë spontanisht se agjërimi po vjen. Çfarë është kjo përgatitje para se të vijnë ditët e agjërimit? Pse po na ndodh një transformim i plotë? Pse bota është më e qetë? Jo vetëm bota njerëzore, por edhe bota e krijesave të tjera. Sepse Zoti në Kuran ka thënë: “Zoti me ju që agjëroni dëshiron lehtësim”. “Përveç myslimanëve që kanë përfitime nga agjërimi, jomyslimanët përfitojnë më shumë se vetë myslimanët”, thotë hoxha.

Ndërkohë, thekson ai, agjërimi për myslimanët është për t’u vërtetuar njerëzve se ata janë më të lartësuar, më të urtë, më produktivë, shumë më të qetë, më të drejtë apo më korrektë.

“Nëse agjërimi nuk të ka bërë të heshtësh pak, të kthehemi tek vetja, të forcojmë vullnetin, të forcojmë shpirtin dhe jetën dhe pas Ramazanit të bëhemi më të mirë, atëherë do të thotë se kemi problem me veten. Ne duhet të pyesim veten nëse vërtet do të fillojmë të agjërojmë siç duhet. Ky agjërim u takon të gjithë njerëzve, ndaj nuk agjërojnë vetëm njerëzit, por edhe flora dhe fauna dhe planetët e tjerë që ne nuk i njohim. Por, mbi të gjitha, ne i bashkohemi atij urdhri, sepse siç na thotë tani Zoti: “O njeri, ti je në rradhën e të gjitha qenieve, që më respektojnë dhe që nuk dalin kurrë nga kjo rradhë, pse bëhesh ai që e prish rregullin kozmik që kam krijuar?”

Hoxha Tahiri ka shpjeguar edhe kuptimin e natës së 27-të të agjërimit, gjegjësisht ditën kur u botua Libri i Shenjtë i Kuranit.

“Shumë gjëra kanë ndodhur në histori gjatë agjërimit,” tha ai, “dhe ne myslimanët e presim natën e 27-të të agjërimit me nderim të madh në mbarë botën. Në këtë natë u hapën dyert e xhenetit dhe Zoti u njoh me njeriun, me fjalën e parë Ikre – lexo. Ishte përqafimi engjëllor, përqafimi i Xhebrailit (në Islam ia shpalli / i dha Kuranin Profetit Muhamed) që e përqafoi Profetin tonë me fjalën e parë, me të cilën u takuan “Lexo Muhamed” dhe tani jeta vazhdon ndryshe. Nuk ka më jetë pa lexim, pa mësim dhe pa arsim. Kjo është ajo që na bën të agjërojmë”, tha Hoxha Tahiri.

Ky muaj është gjithashtu një rast i mirë për pajtim, për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë – veçanërisht të varfrit dhe të dobëtit, sepse vetëm kështu do të jemi më afër kënaqësisë dhe faljes së Allahut të Madhërishëm.

Në agjërimin e Ramazanit dhe këtë muaj solidariteti, në Çarshinë e Shkupit jepen iftare falas për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve – të varfrit dhe të dobëtit. Ekipi i MIA-s vizitoi pikën e një organizate joqeveritare që ofron iftare të tilla.

Arsim Leskovica, një nga organizatorët e “Sofrës së Iftarit” na shpjegoi se këtë vit për të 11-tën herë radhazi organizojnë iftare falas në Çarshi, të cilët kanë nga njëqind besimtarë në ditë.

“Aktualisht jemi në restorantin “Blaca” në Çarshinë e Shkupit. Nuk është rastësi që zgjodhëm këtë vend, I cili ndodhet në një rrugicë të Çarshisë, e cila nuk pengon rrugën kryesore dhe kemi krijuar një traditë bashkëpunimi me pronarët e lokalit. Në këtë restorant shërbejmë afërsisht tre mijë iftare në muaj. Në restorant çdo ditë shtrohet iftar për afërsisht 100 persona, por pa harruar as 50 pakot ushqimore që u dërgohen banorëve të lagjes “Dizhon” të Shkupit. Arsyeja pse nuk mund të zgjerohemi më është fakti se jemi të kufizuar në fonde dhe nuk mund t’I sigurojmë ato para kohe”, tha ai.

Leskovica na tha se dëshironte të përsëriste suksesin e vitit 2019, para se të ndodhte pandemia e koronavirusit, kur gjatë vaktit të Ramazanit u shtruan gjithsej 5200 iftare – nga të cilat 3000 ishin shtruar në restorant dhe 2000 ishin pako ushqimore që iu dërguan banorëve në lagjen e “Dizhonit”.

“Shpresa jonë është që në të ardhmen të zgjerojmë “Tavolinën e Iftarit” duke qenë se nevoja është e madhe. Ne dëshirojmë ta zgjerojmë aktivitetin duke dërguar ushqime në formë të ambalazhuar në lagjet e tjera të qytetit të Shkupit”, thotë Leskovica. Gjatë këtij muaji të shenjtë mysliman, gëzimi dhe lumturia më e madhe u dhurohet të vegjlit – fëmijëve, të cilët me padurim dalin rrugëve nëpër lagje apo para xhamisë aty pranë dhe presin që të ndriçojnë dritat e minares dhe hoxha të këndojnë, që në fakt shënon fundin e agjërimit.

Pas darkës së iftarit, besimtarët në xhami falin teravi namazin dhe mbahen ligjërata nga hoxha, imamë dhe teologë.

Pas agjërimit të Ramazanit, më 2 maj është Fitër Bajrami, i cili festohet tre ditë. Pastaj e gjithë familja mblidhet në një tryezë festive dhe vizitojnë të afërmit dhe miqtë.