Rama ultimatum diplomatëve iranianë: Largohuni brenda 24 orëve

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohet brenda 24 orëve nga Shqipëria.

Gjatë një fjalimi të publikuar në rrjetet sociale, Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, vjen pas u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.

“Këshilli i Ministrave ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, ky vendim i është bërë e ditur me notë zyrtare, ambasadës së Iranit, ku i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë personelit diplomatik dhe tekniko-adminsitrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë”, u shpreh Rama.

Më 15 korrik, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) bëri të ditur se vendi ynë po përballej me një sulm kibernetik që vinte nga jashtë Shqipërisë.

Pas sulmit kibernetik, portali qeveritar e-Albania riktheu në funksion 1118, nga 1225 shërbimet elektronike që ofron për qytetarët.