Rama: Tregu i veturave dhe autoshkollat zhvendosen në ‘Kodrën e Trimave’

Pas vendimit për bllokimin edhe të disa rrugëve në kryeqytet, kryetari Përparim Rama, ka njoftuar për funksionalizimin e parkingut të madh në hyrje të Prishtinës. Ai ka njoftuar se tregu i drunjve dhe lëndëve tjera djegëse, nuk do të lejohen më tutje të shiten në zonën urbane, ndërsa tregu i veturave dhe autoshkollat do të vendosen në lokacion të ri në Kodrën e Trimave.

“Tregu i veturave nuk do të jetë më në Zonën Industriale në Fushë Kosovë, por do ta zhvendosim pikërisht në këtë lokacion ku kemi filluar punimet, në Kodrën e Trimave. Autoshkollat do ta kenë lokacionin e veçantë. Ato do të zhvendosen nga “Stacioni i Autobusëve” në lokacionin i cili do të rregullohet në Kodrën e Trimave”, ka shkruar Rama në Facebook.

Komunikacioni, sipas tij, do të ketë shumë lehtësime kur të përmbylet ky projekt.

“Së bashku me drejtorin e Investimeve kapitale, Krenar Xhaferi dhe drejtorin e Inspektoratit të kryeqytetit, Florian Dushi vizituam punimet të cilat tashmë vetëm se kanë filluar në realizimin e këtij projekti të madh”, ka thënë Rama.