Rama: Shkodra plot me turistë në këto ditë tetori
Shkodra është shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga qyteti veriperëndimor, i mbushur plot me turistë edhe në këto ditë tetori.
Zona e Shkodrës është ndër më të vizituarat nga turistët e huaj për trashëgiminë, por edhe për peizazhet e mrekullueshme natyrore.
Sipas statistikave zyrtare, gjatë periudhës janar-gusht 2024 regjistrohet një rritje prej 32% e numrit të turistëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2022 ka një rritje me rreth 70% të numrit të turistëve.
Qyteti i Shkodrës por edhe fshatrat rreth e qark kanë njohur investime të rëndësishme si në funksion të cilësisë së jetës së banorëve, por edhe me synimin e tërheqjes së vizitorëve të huaj ndërsa vendi përjeton bum turistik.
Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e liqenit të Shkodrës, pedonalja, kalaja e Rozafës.