Rama pas takimit me Thaçin në Hagë: Lufta e UÇK-së nuk mund të rishkruhet dhe kurrsesi të futet në korniza tjera

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, pas vizitës që ia bëri ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë tha se ai ishte në formë shumë të mirë.

Rama po ashtu theksoi se Thaçi ishte shumë i bindur se përmes kësaj gjykate duhet të vërtetohet lufta e pastër dhe e drejtë e UÇK-së.

Ai tutje tha se takimi që zhvilloi me Thaçin ishte një çmallje e nevojshme.

“Ishte një çmallje e nevojshme. Thaçin e gjeta në top formë, i bindur mbase dhe më shumë se sa përpara që të vinte këtu që kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërçipërisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë luftës çlirimtare dhe natyrisht pastërtitë e idealit të luftëtarëve të UÇK dhe të udhëheqësve të UÇK-së”.

Rama u shpreh se janë të bindur që lufta e UÇK-së nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund të futet në korniza tjera.

“Nuk ka shumë për të thënë natyrisht që të gjithë ne jemi të bindur që lufta e UÇK-së nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrsesi të futet në korniza tjera, sepse ajo ashtë tanimë e future në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave të gjakut të dhënë dhe atë gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej për Kosovën e lirë demokratike dhe sovrane”, ka thënë Rama.