Rama: Pas pandemisë do të përballojmë edhe krizën energjetike

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë sot një video ku tregohet puna e stafit mjekësor për përballimin e pandemisë së coronavirusit dhe ka shtuar se me të njëjtin vullnet e durim do të përballohet edhe kriza energjetike.

Ai ka theksuar se sistemi shëndetësor u përball me peshën e pandemisë dhe se falë angazhimit dhe vetëmohimit të stafit kjo sfidë u arrit të përballohej.

“Mirëmëngjes, dhe më këtë video që tregon se si falë vetëmohimit të stafeve mjekësore e investimeve domethënëse, sistemi ynë shëndetësor e mbajti peshën e një tragjedie si pandemia që vjen një herë në 100 vjet, si edhe me bindjen se me të njëjtin vullnet e durim, do të mund t’i përballojmë edhe krizën energjetike bashkë me pasojat e luftës së egër në Ukrainë, ju uroj një ditë të mbarë”, ka thënë Rama.

Kujtojmë se pasditen e së mërkurës mijëra qytetarë dolën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë kundër rritjes së çmimeve, ndërsa kanë paralajmëruar që protestat do të vijojnë deri sa të marrin një reagim nga institucionet përkatëse.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/2291341751172783