Rama: Opozita si gogol, po e përdorin ngjarjet për të nxjerr njerëzit në rrugë

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi një takim për cështje të bujqësisë në Elbasan, për të reaguar për herë të parë edhe mbi vdekjen e Lear Kurtit, pas shoqerimit nga policia të mërkurën në mbrëmje vonë në Tiranë.

Kreu i qeverise tha se nuk ka pasur asnjë arsye të jashtme që mund të ketë shkaktuar vdekjen e 32-vjeçarit Kurti duke vlerësuar edhe sjelljen e policisë, shto këtu edhe pezullimin e tre policeve deri në sqarimin e të gjithë ngjarjes.

Ai akuzoi opoziten se po e lidh këtë ngjarje me atë të Klodian Rashës, vetëm me qëllimn për të nxjerr njerëzit në rrugë.

“Kanë që dje që akuzojnë policinë se ka vrarë një djalë të ri. Ndërkohë që në mënyrën më korrekte, serioze, dinjitoze, ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi. Është mjekësia ligjore që bën punën e vet. Nuk ka asnjë arsye që të ketë pasur arsye nga jashtë, të ketë qenë gjë e bërë me të keq. Të gjithë presim autopsinë, raportin mjeko-ligjor e me radhë. Cfarë qeniesh janë këta që u dalin njerëzve si gogolë në ekrane…E vrau policia sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte, të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan të nxjerrin njerëzit rrugëve,” tha kryeministri Rama.