Rama: Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të shtunën se vendi që udhëheq ai është goditur nga një tjetër sulm kibernetik.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, ka thënë Rama përmes një postimi në Twitter.
Shqipëria ka ndërprerë lidhjet diplomatike me Iranin më 7 shtator, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”.
Autoritetet iraniane kanë hedhur poshtë diçka të tillë.
Aleanca ushtarake e NATO-s ka konfirmuar se prapa sulmit kibernetik të korrikut ka qenë Irani.
Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe kreun e këtij institucioni, duke i akuzuar se qëndrojnë pas sulmit kibernetik të muajit korrik ndaj Shqipërisë.

