Rama kërkon hetimin e 21 janarit dhe tragjedisë së Gërdecit: Vonesat e SPAK janë të pajustifikuara

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar sot nga Prokuroria e Posaçme SPAK fillimin e hetimeve për 21 janarit ku 4 protestues u vranë para Kryeministrisë në Tiranë dhe tragjedinë e Gërdecit ku pas shpërthimit në një fabrikë demontimi armësh humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Në një komunikim me gazetarët, Rama ka thënë se këto çështje të mëdha kanë ngelur pa u hetuar nga drejtësia e re.

Ai shtoi se vonesat e SPAK janë të pajustifikuara, ndërsa pritshmërisë e qytetarëve janë të mëdha.

Ai ka kërkuar gjithashtu hetimin e të gjithë politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

“SPAK së shpejti mbush 3 vjet, Vettingu dhe pak javë mbush 5 vjet dhe për pak vite, pritja e popullit shqiptar për një drejtësi të drejtë dhe barabartë mbush 35 vjet”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se të drejtën për të ndarë me opinion publik qëndrimin për punën e drejtësisë nuk ia ndalon askush.

“Si dikush që për shkak të detyrës e ka udhëhequr politikisht moralisht dhe vendosmërisht reformën në drejtësi në emër të forcës politike që i kanë dhënë kësaj reforme fuqinë e mbështetjes së vet”, ka shtuar Rama.

“Po dhe si njeriu që është sulmuar më shumë për këtë reformë, por edhe nga mbështetësit e saj që janë krejt të palumtur sot për shkak të mos gjithanshmërisë të spektrit të hetimeve dhe gjykime të deritanishme, unë besoj se të drejtën që në këtë moment mbyll një cikël dhe hap një cilët të ri, të drejtën që ta ndaj me opinionin publik qëndrimin për punën e drejtësisë së re nuk ma heq dot askush”, tha ai më tej.