Rama: Do të propozojmë zerimin e taksave për pagat deri në 50 mijë lekë

Kryeministri Edi Rama u shpreh nga foltorja e parlamentit këtë të enjte se qeverisa pas disa ditësh do të propozojë që të zerojë taksat për pagat deri në 50 mijë lekë. Deklarata e kreut të qeverisë u bë pas akuzave të opozitës se Shqipëria takson punën më shumë se kapitalin. Sipas tij, puna në vendin tonë taksohet më pak se në të gjithë rajonin dhe Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon.

“E kam dëgjuar që ju përsërisni me këmbëngulje që ne e taksokemi punën më shumë se kapitalin dhe se ne paskemi taksimin e punës më të lartin në rajon. E kundërta është e vërtetë dhe kjo është çështje shifrash, nuk është çështje opinionesh. Puna në Shqipëri taksohet më pak se në të gjithë rajonin dhe shkon në maksimumin 5.5%, në maksimum ashtu sikundër Shqipëria ka padiskutim taksat më të ulëta në rajon. Ky është fakt. Nuk ka në rajon biznes të vogël me zero taksë, nuk ka në rajon biznes të vogël me zero TVSH nuk ka në rajon, taksë zero për pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra në këtë rast, që të jem i saktë dhe së shpejti pas pak ditësh ne do të sjellim propozimin për ta zeruar deri në 500 mijë lekë (të vjetra), do të shkojmë përtej angazhimit që kemi marrë për ta përgjysmuar, s’ka në rajon nga këto. Tani nga del këtu që paskemi taksën më të lartë të punë dhe paskemi edhe taksa më të larta? Kjo prapë mbetet për t’u vlerësuar mbi bazën e shifrave”, u shpreh Rama.