Rama: 12 shkolla të ndërtuara nga e para në Tiranë

12 shkolla të reja hapën dyert sot për të mirëpritur fëmijët e kryeqytetit në ditën e parë të shkollës.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa publikoi listën e shkollave të rindërtuara nga e para, theksoi se gjimnazi “Sami Frashëri”, është qershia mbi tortë, ku do të mësojnë 1500 nxënës.

“Gjimnazi “Sami Frashëri” është qershia mbi tortë në koleksionin e shkollave të ndërtuara për vitin e ri arsimor në listën e 12 shkollave të reja të ndërtuara nga e para në Tiranë”, u shpreh Rama.

Shkollat e ndërtuara nga e para në Tiranë janë: shkolla “Sami Frashëri”, me kapacitet për 1500 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”, me kapacitet për 900 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”, me kapacitet për 900 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza”, me kapacitet për 900 nxënës; shkolla “John Kennedy”, me kapacitet për 630 nxënës; shkolla “Sevasti Qirjazi”, me kapacitet për 630 nxënës; shkolla “Luan Hajdaraga”, me kapacitet për 630 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi”, me kapacitet për 600 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Klodian Tanushi” Dajt, me kapacitet për 600 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Lek Gjiknuri”, me kapacitet për 330 nxënës; shkolla 9-vjeçare “Dritas” në Zall-Herr, me kapacitet për 216 nxënës; shkolla “Rufan Hakrama” në Pezë, me kapacitet për 120 nxënës.

Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur sot viti i ri shkollor 2022-2023 për rreth 450 mijë nxënës, ku 29 mijë prej tyre do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.