QUINT kërkoi nga ne që ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, thotë kreu i Listës Serbe

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, gjatë takimit të mbajtur më 15 gusht në Prishtinë, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që “të pranojnë realitetin, e ai realitet është se Kosova është e pavarur”.

Këto komente Rakiq i bëri gjatë një konference për media në Qeverinë serbe në Beograd të martën, ku morën pjesë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca, dhe që të gjitha e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

Rakiq tha se në takimin me ambasadorët e QUINT-it kanë rënë dakord që të mos bëhen publike detajet e takimit, por “për shkak të peshës dhe seriozitetit të mesazhit që morën dje, ne kemi një moral njerëzor dhe përgjegjësi politike për të informuar qytetarët se jetojnë në Kosovë”.“Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Në atë takim, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishin se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu dëgjuam se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”, tha Rakiq.

Rakiq tha se ambasadorët e QUINT-it thanë se vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe janë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

“Ne absolutisht nuk u pajtuam me ta. Na bën thirrje që ta pranojmë realitetin në terren dhe ai realitet është që Kosova është e pavarur. Asnjë serb, dhe ne ua thamë qartë dje, nuk e pranon atë pavarësi dhe nuk do ta pranojë kurrë. Ne po shikojmë Brukselin, presidentin tonë, Aleksandar Vuçiq dhe po shikojmë dialogun e Brukselit”, tha Rakiq.

Lista Serbe, që është partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se mbështesin plotësisht presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për takimin që ai do të mbajë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 gusht.

Rakiq tha se Kosova mund “me forcë të përpiqet të zbatojë disa vendime”, por se “ne nuk do të marrim pjesë në këtë”.

Rakiq, që është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, tha se pret që presidenti serb Vuçiq, të gjejë një mënyrë për ta “tejkaluar këtë krizë” në dialogun në Bruksel.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Bllokadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës. Vendimi i parë ka të bëjë me targat serbe me akronime të qyteteve të Kosovës.

Kosova dëshiron që rreth 10.000 makina me targa sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme të riregjistrohen në targat RKS (Republika e Kosovës), pasi vlerëson se targa të tilla që qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe, janë të jashtëligjshme.

Vendimi i dytë i Qeverisë së Kosovës është për lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje, për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument jepet falas dhe ka vlefshmëri prej 90 ditësh.

Me dokument të tillë, qytetarët e Kosovës janë pajisur nga autoritetet serbe qe 11 vjet dhe palët ishin marrë vesh për një gjë të tillë me nënshkrimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes më 2011.

Pasi serbët hoqën barrikadat pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator./REL