Qeveria mbush arkën nga zhytja e vendit në krizë ekonomike

Viti i ardhshëm parashikon një rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit, ku një pjesë e konsiderueshme do të vijë për shkak të rritjes së çmimeve.

Këtë e ka konfirmuar dhe ministrja Delina Ibrahimaj, e cila në prezantimin e buxhetit të shtetit nuk parashikoi ulje të taksave apo të tatimeve.

“Asgjë nuk do të ndryshojë në formulën e tatimit të biznesit i cili qarkullon deri në 14 milion lekë.”

Fondet parashikohen të rriten edhe për koncensionet, incineratorët apo projektet e shumëkritikuara me Partneritet Publik Privat.

“Investimet publike në 2023 janë të parashikuara në masën 5.6% të Produktit të Brendshëm Bruto ose 122.2 mld lekë.  Në planifikimin e investimeve për vitin 2023 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale dhe projektet e investimeve me financim të brendshëm dhe të huaj. Ashtu si në 2022 dhe në 2023 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.”

Për projektbuxhetin ka reaguar edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke akuzuar se qeveria po shpërndan fondet për aferat e mëdha, duke mos menduar për të zbutur krizën ekonomike.

“Pr/buxheti 2023 rrit mbështetjen për pagesa për PPP-të dhe 7 kontrata të reja me vlerë 1 miliardë dollarë për vitin që vjen. Që janë vjedhje që bën ky me klientelën e vet”.

Meta shton se qeveria po rëndon me taksa edhe më të larta profesionet e lira, ndërsa Ibrahimaj shtoi se vitin e ardhshëm do të ketë sërish indeksim të pensioneve dhe rritje të pagave.