Qeveria e Kosovës e interesuar për mbylljen e hapësirës ajrore

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se ka shtruar çështjen e ndalimit të fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me KFOR-in dhe NATO-n.

“Ne jemi shumë të interesuar që ta bëjmë këtë”, deklaroi të premten zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke shtuar se Qeveria është në koordinim me NATO-n për vendimet e hapat e ardhshëm, raporton REL.

Megjithatë, një zyrtar i NATO-s ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur.

“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Një mbyllje e tillë nuk do të kishte ndikim operacional. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin ditor të mandatit të saj sipas OKB-së”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.