Qendra për punë sociale tani me zyre të re në Çair

Shkup, 5 prill – Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Shkup, Liridon Baftiji, sot në konferencë shtypi informoi se Qendra që sot ka zyrë të re edhe në lagjen Çair.

“Duke e pasur parasysh atë se sa është larg Qendra për Punës Sociale nga territori i Çairit dhe duke i pasur parasysh kushtet e këtyre kategorive të qytetarëve të cilët zakonisht nuk kanë mjete për të udhëtuar kaq larg për t’i marrë shërbimet tona, ne vendosim qendra e re të jetë më afër qytetarëve të Komunës së Çairit”, tha Baftiji.

Në hapjen e sotme të qendrës, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, Baftiji informoi se qendra e re do të shërbejë vetëm për dhënien dhe marrjen e dokumenteve.

“Bëhet fjalë për dokumente për të drejta sociale dhe fëmijë. Por, në rast nevoje për më shumë informacione qytetarët sërish do të duhet të paraqiten në qendrën e vjetër në Butel”, tha drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Shkup.

Ai shtoi se qendra në Çair është financuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe nënvizoi se kanë pasur takim edhe me kryetarin e Komunës së Çairit nga i cili nuk e kanë marrë mbështetjen e premtuar.