Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje të pagave, kërcënojnë me grevë
Qindra punëtorë të Korporatë Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar duke kërkuar rritje të pagave. Para zyrave qendrore të KEK-ut në Prishtinë, ata kërcënuan menaxhmentin aktual se në rast se nuk përmbushin kërkesat e tyre do të hyjnë në grevë, duke lënë siç thanë, Kosovën në terr.
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve në KEK, Nexhat Llumnica tha se krahas rritjes së pagës duhet të paguhet edhe rrezikshmëria në punë, shujta e ushqimit dhe pagesa për punën në vikend, sipas Ligjit të punës.
“Sot jemi këtu sepse kemi kërkuar që 1 vit ngritjen e pagave. Ne si përfaqësues sindikal në mënyrë të shkruar i kemi kryer detyrat tona, janë shterë mundësitë e dialogimit. Nuk kemi dal për dëshirë këtu, e di që ju kemi vonuar pak, e di që keni bërë presion shumë më herët tek ne që me bë këtë protestë. Por, të tregojmë sinqerisht, kemi dashur të dalim mirë dhe t’i shterim gjitha mënyrat e dialogimit. Premtimi i drejtorit menaxhues për shujtën e ushqimit ka qenë më 22 shtator që do të paguhet shujta nëse nuk hapen restorantet, ajo nuk ndodhi”, tha Llumnica.
“Premtimi i tij prapë ka qenë më 22 dhjetor që nuk po mundemi tash se mos po vonohet paga dhe iu paguajmë në janar. Prapë ne besuam, por ja që nuk doli kjo. Punëtorët e KEK-ut kanë punë të rëndë, por ushqim të lehtë. Ngritja e pagave duhet të jetë e domosdoshme për kohën, për arsyen se ne kemi arritur të tejkalojmë prodhimin, të eksportojmë 10 për qind të prodhimit të energjisë elektrike, kemi arritur të bëjmë Kosovën në dritë, punëtorët janë ata që e kanë arritur, mirëpo menaxhmenti po i injoron punëtorët”, shtoi ai.

