Publikohen fotot e 19-vjeçares shqiptare që u vra nga partneri në Greqi, flasin fqinjët

Mediat greke kanë publikuar foton e 19-vjeçares shqiptare, e cila u vra nga partneri i saj 25-vjeçar, po ashtu shqiptar. Policia helene ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Qamil Taja dyshohet se e vrau partneren, Kristjana Braka, për shkak të xhelozisë.

Për autoritetet greke ka disa pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje. Së pari ata po mundohen të kuptojnë se ku e gjeti armën shqiptari, pse e mbante në apartament dhe ku shkoi pas vrasjes. Shqiptari i ka thënë autoriteteve se nuk u dorëzua menjëherë pasi fillimisht ka ecur për të qartësuar mendjen.

Vrasja ndodhi në zonën e Pireut. Viktima punonte në një lokal në Kallithea, ndërsa 25-vjeçari në një klub nate në Pire. Zënkat mes çiftit ishin të vazhdueshme. Ai e ka qëlluar partneren me dy plumba në kokë.

Para vrasjes, i riu ka postuar në rrjetet sociale, ku sipas mediave greke shfaqet xhelozia e tij. Të njëjtën gjë, pra se vrasjen e ka kryer për shkak të xhelozisë, Taja e ka pranuar edhe para policisë.

Ka qenë pikërisht xhelozia që ka shkaktuar edhe zënkën e radhës mes çiftit. I zemëruar dhe nën ndikimin e drogës, saktësisht kokainës, Taja ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar në kokë 19-vjeçaren.

Në dëshminë e tij, ai ka thënë se e ka marrë pistoletën para një viti nga disa rumunë. Pasi ka kuptuar se çfarë ka bërë, thotë se ka lajmëruar policinë. Kur kanë arritur autoritetet kanë gjetur shqiptarin që po i priste.

Banorët në zonën ku banonte çifti janë shokuar. Ata kanë treguar se i shihnin gjithnjë duke u zënë. Para një jave, mes tyre ka pasur një sherr të fortë.

“Një javë më parë i dëgjova të ziheshin. Mund të dëgjoje të bërtiturat. Vajza ishte më e qetë, ndërsa ai më i zhurmshëm. Sherri i mbrëmshëm ishte i fortë. Më së shumti kam dëgjuar zërin e vajzës”, tha një fqinje, e cila pavarësisht se ndodhej pranë shtëpisë së tyre, thotë se nuk ka dëgjuar të shtëna.

Banorët e kanë kuptuar që ka ndodhur diçka e keqe, kur kanë parë forcat e policisë në apartamentin e çiftit. Sidoqoftë ata shprehen se nuk e imagjinonin kurrë që sherret mes çiftit do të përfundonin në vrasje.