Pse është i ulët interesi për imunizim? IMM tregon shkaqet
Shkup, 6 shtator – Pas hulumtimeve të bëra nga Instituti Maqedonas për Media (IMM) në fushën e imunizimit kundër KOVID-19 dhe imunizimit të rregullt të fëmijëve, dezinformatat dhe keqkuptimet për vaksinat, si dhe publikimi i dezinformatave në mediat onlajn pa kredibilitet, janë arsyeja e uljes së interesit për imunizimin tek qytetarët.
Me këtë rast, Instituti Maqedonas për Media dhe zyra e UNICEF-it në Shkup do të organizojnë një sërë konsultimesh ekspertësh për punonjësit e mediave lidhur me imunizimin e fëmijëve dhe vaksinimin kundër KOVID-19 në periudhën nga shtatori deri në nëntor të këtij viti.
Sot u mbajt konsultimi i parë i ekspertëve, në të cilin u drejtuan ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, zëvendës përfaqësuesi i UNICEF-it Artur Ajvazov, Marina Tuneva, eksperte e komunikimit e cila prezantoi rezultatet e hulumtimit, ndërsa në temën “Imunizimi dhe (jo) besimi i opinionit”, foli dr. Aleksandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për sëmundje infektive.
Ministri Sali thotë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Institutin e Shëndetit Publik dhe se po monitorojnë situatën me imunizimin tek fëmijët.
“Situata nuk është e njëjtë kudo në çdo rajon apo në çdo qytet. Diku ka imunizimin mbi 70 për qind, por diku vijmë te të dhënat që kemi imunizimin nën 50 për qind, siç e përmendët ju. Sigurisht që këtë përgjegjësi e ka Instituti, pra qendrat rajonale të shëndetit publik. Jemi duke punuar që aty ku mungon një pjesë e përqindjes për imunizimin, të jemi më të fokusuar duke dhënë mesazhe publike dhe ftesa për imunizimin e fëmijëve për mbrojtje nga MRP, deklaroi ai.
“Tashmë po marrim masat që janë marrë në vitin 2019 dhe nuk pres që të ndodhë epidemi fruthi në vendin tonë. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm. Shfrytëzoj rastin t’i bëj apel çdo prindi që ka një fëmijë që duhet të vaksinohet, të mos presë që situata të ndërlikohet, pra të ketë një situatë alarmante dhe më pas t’u drejtohet institucioneve, por të vaksinojë fëmijët në kohën e duhur, shtoi Sali.
Zëvendës përfaqësuesi i UNICEF-it, Ajvazov, tha se imunizimi paraqet një nga arritjet më të rëndësishme dhe më të mëdha në kohën e sotme.
Të gjitha vaksinat që shpëtojnë jetën e fëmijëve dhe parandalojnë përhapjen e sëmundjeve, por pavarësisht kësaj, një numër i madh i fëmijëve ende nuk janë të vaksinuar. Kryesisht për shkak të ndikimit në rritje të fushatave kundër vaksinave dhe dyshimeve për cilësinë e vaksinave. Është fakt shkencor se ato funksionojnë dhe janë të sigurta, tha ai.
Në temën “Imunizimi dhe (jo) besimi i opinionit”, u drejtua dr. Petliçkovski i cili theksoi se me një performancë të organizuar në të cilën me një plan dhe bashkëpunim të përbashkët ndërmjet organeve shëndetësore dhe mediave do të mund të tejkalohen lëvizjet antivakserike.
Seria e këshillimeve të ekspertëve për punonjësit e medias për këtë temë vazhdon edhe në periudhën e ardhshme. Qëllimi, siç thonë organizatorët, është të mundësohet njohja me teknikat dhe aftësitë e ndryshme për informimin profesional të vaksinimit, analiza dhe adresimi i faktorëve që kontribuojnë në përhapjen e dezinformatave, rritjen e transparencës në institucionet shëndetësore dhe komunikimin më të mirë me opinionin në lidhje me imunizimin

