PS ndryshime në 3 qarqe/ Zhvendoset Spiropali, rikthehet Majko, Ahmetaj mbetët pa asnjë post

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste është bërë me dije se janë bërë tre ndryshime të rëndësishme në drejtimin politik të qarqeve.

Gazetarja e Vizion Plus, Enkeleda Mema bën me dije është rikthyer në ‘vëmendje’ Pandeli Majko të cilit i është besuar qarku i Kukësit.

Deri tani, Majko mbante vetëm detyrën e deputetit në PS.

Qarkun Kukës e ka ‘liruar’, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet e Parlamentit, Elisa Spiropali e cila do të kalojë në Shkodër, duke zëvendësuar kështu Edona Bilalin e cila duket se do të bëjë një tërheqje nga politika për shkak të shtatëzënisë së saj.

‘Thatë’ ka mbetur ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj i cili, pasi është shkarkuar edhe nga drejtimi politik i Qarkut Vlorë nuk mban më asnjë detyrë të rëndësishme në Partinë Socialiste.

Vendin e Ahmetaj në Vlorë do ta zëjë Blendi Klosi.