Prorektori për Arsim i UT-së, Vullnet Ameti u prit në takim nga kryetari i Kompanisë “Ecolog”, Lazim Destani 

Tetovë, 18 prill – Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, sot u prit në një vizitë nga filantropi i njohur shqiptar, pronari i kompanisë prestigjioze ndërkombëtare Ecolog. Bashkëpunimi me kompani të njohura që operojnë në vendin tonë, e sidomos me kompanitë që veprimtaritë e tyre i zhvillojnë në mbarë botën, ka qenë dhe do të mbetet prioritet i drejtuesve të Universitetit të Tetovës.

Për këtë qëllim, sot u realizua takimi mes Prorektorit për Arsim të UT-së dhe pronarit të Kompanisë Ecolog. “Ne i jemi mirënjohës kompanisë që Ju e drejtoni për mbështetjen që i ka dhënë universitetit tonë ndër vite, zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e pakushtëzuar ndaj institucioneve shqiptare kudo në rajon. Universiteti ynë tashmë i konsoliduar ka bërë hapa të mëdhenj përpara, si në avancimin mësimor – shkencor dhe projekte të tjera me rëndësi jetike. Sikurse jeni në dijeni, ne në përvjetorin e ligjëratave të para, pas një pune të jashtëzakonshme të ekipit kompetent, arritëm që ta botojmë Monografinë e Universitetit të Tetovës, që përfshinë periudhën “1994/5-2004/5″, ndaj më lejoni që në emër të ekipit botues, profesorëve dhe studentëve të të gjitha gjeneratave t’ua dhuroj Monografinë që ne e konsiderojmë si publikimin më të rëndësishëm të Universitetit tonë”, tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Monografia e Universitetit të Tetovës, Lazim Destanit i’u dhurua në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë ndër vite për zhvillimin e Universitetit tonë, mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj themeluesit dhe Rektorit historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, në misionin e tij titanik për arsimin e lartë në gjuhën shqipe, projektit më madhështor në historinë moderne të kombit shqiptar.

Lazim Destani e vlerësoi lartë punën e realizuar për botimin e kësaj monografie, sikundër shprehu gatishmërinë e tij të vijojë bashkëpunimin dhe të ofrojë ndihmën e kompanisë që ai drejton për përparimin e kësaj qendre të arsimit të lartë në gjuhën shqipe – Universitetit të Tetovës./Zhurnal.mk