Prokuroria, 18 të akuzuar për makinat luksoze

Prokuroria Publike ka ngritur akuzë kundër 18 personave mbi dyshimet e bazuara për kontrabandë me makina luksoze. Grupi i organizuar kriminal ka falsifikuar dokumente, ka fshehur mallrat, i janë shmangur kontrolleve doganore dhe i kanë shitur mes vete për t’i fshehur gjurmët.

“Nga gushti i vitit 2020 deri në prill të vitit 2022 të akuzuarit kanë kaluar në pikat doganore mallra të padeklaruar- makina luksoze me vlera të mëdha. Ata i janë shmangur kontrolleve doganore, kanë falsifikuar dokumentet dhe të njëjtat i kanë përdorur për t’i regjistruar veturat, ndërsa më pas për t’i shmangur gjurmët e krimit i kanë fshehur makinat dhe i kanë shitur mes vete për disa herë brenda një periudhë të shkurtër. Në mesin e të akuzuarve është edhe një auto sallon nga Koçani”, thonë nga Prokuroria Publike.

Shumica e makinave luksoze janë subjekt i hetimeve ndërkombëtare. Për regjistrimin e tyre kanë ndihmuar 5 të punësuar në Drejtorinë për çështje administrative pranë MPB-së.

“Pjesa më e madhe e makinave të cilat ndërlidheshin me krime në nivel ndërkombëtar janë blerë nga vende të ndryshme Evropiane, ndërsa në Maqedoni të Veriut janë futur përmes ndryshimit të numrave serik të shasive dhe dokumente të falsifikuara për origjinën me qëllim fshehjen e adresës nga ku ka ardhur. Regjistrimi i tyre me dokumente të falsifikuara është bërë nga persona zyrtar të punësuar në MPB. Pas një periudhe, veturat u janë shitur personave fizik dhe juridik në shtet”, shtuan nga Prokuroria Publike.

Hetuesia ka arritur t’i evidenton 15 makina të tillë, vlera e të cilave arrijnë mbi gjysmë milioni euro. Ndaj tre personave është kërkuar vazhdimi i masës së paraburgimit, njëri prej tyre shtetas serb me leje qëndrim në Maqedoni. Njëri nga të akuzuarit ka pranuar të bashkëpunon me organet e ndjekjes penale dhe i është shqiptuar dënimi, ndërsa për njërin është ndërprerë ndjekja penale për shkak se është i pakapshëm për organet e rendit ligj zbatuese.