Projektligji për Trustin nuk procedohet në seancë parlamentare as këtë javë

Udhëheqësi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës që ta procedojë në kryesinë e kuvendit Projektligjin për Fondet Pensionale, raporton Ekonomia Online.

Tahiri tha se kryesia e Kuvendit do të mund ta procedonte për shqyrtim në seancë parlamentare projektligjin i cili do të mundësojë tërheqjen e një pjese të kursimeve të qytetarëve nga Trusti.

“Sot kemi pritur të shqyrtohet projektligji për Trustin,. Një çështje e tillë qenka në Komisionin për Buxhet dhe Transfere. Ne i kërkojmë komisionit që ta sjell projektligjin me komente, në mënyrë që ta procedojmë për seancën e radhës. Ne shpresojmë që të hënë e ardhshme ta kemi mundësinë që ta procedojmë projektligjin për Trustin”, tha ai.

Tahiri i ka ftuar deputetët e pushtetit qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje që të votojnë për iniciativën që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Mendoj që secili deputet duhet të mendoj dhe të reflektoj për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët”, deklaroi Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ftoi pozitën që të arrijë një kompromis lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore për Fondin Pensional.

Tahiri tha se rritja e çmimeve e ka bërë “të rëndë” jetën e qytetarëve dhe ka rënduar ekonomitë familjare.