Projektligji për procedurë gjyqësore para anëtarëve të Komisionit parlamentar për çështje evropiane

Shkup, 26 shtator – Në seancën e sotme, anëtarët e Komisionit parlamentar për çështje evropiane po debatojnë për Projekt-ligjin për procedurë gjyqësore. Anëtarët e VMRO-DPMNE-së kërkuan pushim për të gjetur nenin në Rregullore, ku thuhet se deputetët nuk mund të pajtohen proceduralisht.

Kryetari i komisionit, Arbër Ademi në fillim të seancës njoftoi se në diskutimin e këtij projekt-ligji respektohen dispozitat e nenit 171a të Rregullores së Kuvendit. Diskutimi në Komisionin për Çështje evropiane dhe Komisionin legjislativ dhe juridik mund të zgjasë më së shumti tri ditë. Sipas të njëjtit shkrim, ka theksuar Ademi, në diskutimin e përgjithshëm, anëtari i grupit të punës dhe deputetët mund të flasin disa herë në kohëzgjatje prej 20 minutave, ndërsa koordinatori i grupit parlamentar gjithsej 30 minuta.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Eli Panova proceduralisht tha se qëllimi i vetëm i kryetarit të Komisionit, duke hapur cilëndo pikë, është që të kalojnë tre ditë dhe të kalojë ligji pa u kapur të gjitha vërejtjet, pa debat konstruktiv, pa hyrë në thelbin e kësaj, si dhe të gjitha ligjeve të tjera që janë vënë në rend dite. Ajo ka kërkuar që ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski të marrë pjesë në seancën e sotme për këtë projekt-ligj.

Ademi, duke iu përgjigjur Panovës, tha se janë kontradiktorë për faktin se vazhdimi i kësaj seance ishte caktuar për të premten dhe se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme që deputetët të përgatiten.

“Nga korriku i vitit të kaluar, ky projektligj është në procedurë parlamentare dhe deputetët kanë pasur kohë të mjaftueshme rreth një muaj për t’u njohur me ndryshimet që janë bërë në këtë ligj. Unë jam për debat konstruktiv, jam për përfshirjen e opozitës në debat konstruktiv, por si mund të ketë debat konstruktiv, kur në fillim të seancës nuk lejoni që të hap as pikën. Projektligji është në lexim të parë, i cili është në përputhje me Rregulloren, në seancë mund të marrë pjesë sekretari shtetëror i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa në leximin e dytë duhet të marrë pjesë ministri apo zëvendësministri”, tha Ademi.