Prioritetet e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë: politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se politika monetare dhe stabiliteti i çmimeve janë prioriteti i parë i tij përgjatë mandatit të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.
Sejko është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta më 14 shkurt për një mandat të dytë si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Në fjalën së tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Sejko tha se gjatë mandatit të shkuar politika monetare e bankës qendrore ka bërë një hop të dukshëm cilësor.
“Në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. Në gjykimin tim, respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm”, ka shtuar Sejko.
Sipas Sejkos, prioriteti i dytë ka të bëjë më mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit.
“Në këtë prizëm, objektivi i punës sime do të jetë: krijimi i të gjitha premisave për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë, adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III, konvergimi i mëtejshëm më standardet evropiane dhe marrja e certifikimeve të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes nga Banka Qendrore Evropiane, riskanimi i plotë i sistemit tonë financiar – në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) – për të mundësuar identifikimin dhe korrektimin në kohë të dobësive të tij”, ka shtuar Sejko.
Sejko ka thënë gjithashtu se prioriteti i tretë i bankës qendrore do të jetë nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe e përfshirjes financiare.
“Shkalla relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare sjell pasoja serioze negative, nëpërmjet cënimit të konkurrencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë në marrëdhëniet tregtare e financiare, si dhe reduktimit të të ardhurave publike”, ka theksuar Sejko.