Presidentja Osmani përkujton profesor Aganin: Figurë përbashkuese dhe politikan konsistent me vizion të qartë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar akademik Fehmi Aganin në 23-vjetorin e vrasjes së tij.

Ajo ka thënë se profesor Agani ka qenë figurë përbashkuese dhe politikan konsistent me vizion të qartë për rrugën që duhet të ndiqte Kosova.

Mes tjerash, presidentja Osmani ka shtuar se ai ka qenë i angazhuar një jetë të tërë në përmbushjen e synimit për shtetin e Kosovës.

“Si dorë e djathtë e presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova, profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktiviteti i tij kombëtar u ndal më 6 maj 1999, kur forca të regjimit gjenocidal serb e vranë njërin nga strategët e lëvizjes paqësore. Vënia e autorëve para drejtësisë është synimi ynë i vazhdueshëm”, thuhet në përkujtimin e Osmanit.

Ndryshe, sot janë bërë 23 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani u vra më 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.