Presidentja hungareze fjalim në Kuvendin e Shqipërisë: Paqja dhe siguria e Evropës varet nga Ballkani Perëndimor

Presidentja e Republikës së Hungarisë, Katalin Novak deklaroi sot se “duam që Shqipëria të jetë zyrtarisht pjesë e Evropës, kemi nevojë për Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.

Në fjalën e saj përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, Novak tha se “jo vetëm ju keni nevojë për BE-në, por edhe ne hungarezët edhe gjithë kombet e BE-së kanë nevojë për ju brenda BE-së”.

Më tej, Novak tha se “do të përpiqem të bëj sa më shumë për marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve. Me Shqipërinë kemi një marrëdhënie të lartë miqësore, shqiptarët dhe hungarezët e kuptojnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin”.

Presidentja Novak u shpreh se “kam ardhur në një kohë kritike këtu në Shqipëri. Evropa është në rrezik, ka vështirësi përballet me vështirësi me të cilat prej kohësh nuk u përball. Nga këto dua të theksoj luftën në Ukrainë dhe pasojat e kësaj lufte, Ballkanin Perëndimor, stabilitetin dhe rëndësinë e tij, emigracionin ilegal, sfidat demografike që do të përballemi më fort se ndonjëherë në histori si dhe fuqinë politike të Evropës e cila është në pikëpyetje se në çfarë vendi mund të jetë Evropa në politikën botërore”.