Presidenti Pendarovski pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Indisë

Shkup, 30 mars – Presidenti Stevo Pendarovski sot pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Indisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sanxhaj Rana, me seli në Sofje.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, Pendarovski theksoi se India ka vlerë të veçantë për shkak të figurës dhe veprës së Nënë Terezës, e cila vendosi lidhje të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndërmjet Shkupit dhe Kalkutës por edhe lidhje e fuqishme ndërmjet dy popujve, kumtuan nga Kabineti i presidentit.

Duke theksuar se ka mundësi të mëdha për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve me trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral, presidenti Pendarovski shfaqi shpresë se në periudhën e ardhshme dialogu politik bilateral do të intensifikohet përmes vizitave të ndërsjella.

Ambasadori i sapoemëruar Sanxhaj Rana theksoi prioritetin e lartë të Qeverisë së Indisë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, ai informoi se prioritet do të jetë zhvillimi i angazhimit më të thellë politik, tregtia dhe investimet e forta bilaterale, si dhe bashkëpunimi i thelluar në fushën e teknologjisë dhe turizmit.

Presidenti Pendarovski i ka uruar ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Indisë, Sanxhaj Rana, suksese në kryerjen e funksionit të tij diplomatik, thuhet në komunikatë.