Pendarovski dhe Xhaferi me uratë për komunitetin boshnjak

Shkup, 28 shtator – Presidenti Stevo Pendarovski sot u ka dërguar urim pjesëtarëve të komunitetit boshnjak në vend me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve.

“Kjo ditë është një nga festat e rëndësishme që simbolizon pasurinë e identiteteve etnike, fetare, gjuhësore dhe kulturore nën qiellin tonë.. Në atdheun tonë të përbashkët, Republikën e Maqedonisë së Veriut, ne e kuptojmë diversitetin e identiteteve jo si dobësi, por si forcën dhe vlerën tonë më të madhe. Prandaj, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve, ne investojmë në fillin e gjithëpërfshirjes që mban bashkë etnitë e ndryshme për të mirë apo për keq”, qëndron në urimin.

Kreu i shtetit thotë se suksesi më i madh i shtetit është nëse të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht identitetit të tyre, e ndjejnë atë si atdheun e tyre dhe nëse përmes individualiteteve të tyre kontribuojnë për të mirën e përbashkët.

“Ne jemi krenarë që ju, boshnjakët, jeni pjesë përbërëse e shoqërisë sonë, por edhe një lidhje e rëndësishme e Maqedonisë së Veriut me vendet ku jetojnë bashkatdhetarët tuaj. Besoj se vetëm të bashkuar do t’i kapërcejmë të gjitha sfidat shëndetësore, politike dhe ekonomike dhe do të realizojmë vizionin e një Republike të qëndrueshme dhe të begatë të Maqedonisë së Veriut. Më lejoni që edhe një herë t’ju uroj 28 shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Boshnjakëve dhe t’ju uroj shumë shëndet, gëzim dhe lumturi, thuhet në urimin e presidentit Pendarovski.

Edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi gjithashtu ka uruar ditën e komunitetit boshnjak në RMV.

“Të nderuar qytetarë, pjesëtarë të bashkësisë boshnjake në Republikën e Maqedonisë së Veriut, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, t’ju drejtoj urime të sinqerta me rastin e 28 Shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, me dëshirë që ditën festive ta kaloni me shëndet të mirë dhe disponim, në mirëqenie familjare dhe përparim të më të dashurve tuaj”, qëndron në urim.

Sipas Xhaferit, kjo është me siguri periudha më turbulente e historisë më të re botërore dhe me siguri rrjedha dhe zhvillimi i ngjarjeve do të lë pasoja globale në paqen dhe demokracinë botërore

“Kanosjet ndaj shëndetit dhe ekonomisë gjithsesi i ndjemë, mirëpo sfidat me siguri nuk përfundojnë këtu. Në dukje është faza e testimit të sërishëm të unitetit tonë, gatishmërisë dhe përvojës sonë si shtet, si institucione dhe si qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në tejkalimin e vështirësive dhe gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë. Prandaj, me mirëkuptim të plotë dhe respekt ndaj dallimeve si gjuha, kultura, folklori dhe tradita e çdo bashkësie etnike e cila është pjesë e pandashme e thelbit të shtetit tonë të përbashkët, të bëhemi shembull për atë se si ndërtohet shoqëria multietnike, multitkulturore dhe multikonfesionale, shtëpi e përbashkët për të gjithë. Vetëm kështu do e realizojmë qëllimin tonë të përbashkët të kemi ardhmëri të sigurt për gjeneratat tona të ardhshme”, potencon Xhaferi në urim.