Policet e Kosovës marrin pjese në Konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Grave Police në Çikago
Eprore e zyrtare policore nga Policia e Kosovës po marrin pjesë në Konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Grave Police (IAWP) 2024 në Chicago, të SHBA-së nga 1-5 shtator.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se në këtë konferencë, në të cilën po marrin pjesë 74 shtete, nga Asociacioni i Grave Police (IAWP) janë ndarë tetë çmime për gratë police më të dalluara nga e gjithë bota.
“Togere Antigona Çitaku-Dibrani nga Policia e Kosovës u nderua me çmimin ndërkombëtar për ‘Shërbim në Komunitet’ për punën, kontributin dhe përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Konferenca e IAWP është një ngjarje kryesore për gratë në zbatim të ligjit, duke ofruar sesione trajnuese si dhe shkëmbim të përvojave me gra police nga vende të ndryshme. Kjo konferencë këtë vit ka bashkuar mbi 850 eprore e zyrtare të policisë nga e gjithë bota.