Plotësohen formularët për “Sky Ecc” dhe “EncroChat”, asnjë polic s’deklaron se ka përdorur aplikacionet e grupeve kriminale

Më shumë se tri javë më parë, Ministria e Brendshme i dha çdo efektivi të organizatës së Policisë së Shtetit një formular, të cilin tashmë e kanë plotësuar të gjithë,  ku kanë deklaruar zyrtarisht se nuk i kanë përdorur platformat e komunikimit Sky Ecc apo Encro Chat. Këto platforma kanë rezultuar se përdoreshin për të organizuar veprimtari të paligjshme, me besimin se nuk zbuloheshin.

Sipas drejtuesve të Policisë, të gjithë formularët janë lexuar një më një dhe tashmë e Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të nisë një analizë për të hetuar vërtetësinë e tyre një më një.

Ky formular u plotësua pas një urdhri të ministrit të brendshëm Taulant Balla, si një mjet vetëdeklarimi i të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat.

Për ministrinë e Brendshme, ky urdhër është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë.

Theksohet, se çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës, përveç atyre që kanë qenë të infiltruar për arsye hetimore.

Dy ditë më parë në takimin me gazetarët në fundvit, kreu i SPAK, Altin Dumani, ndonëse nuk dha shifra zyrtarësh kryesisht policorë të dalë nga transkriptet e Encro Chat dhe Sky Ecc, tha se pothuajse në çdo material, figurojnë emra policësh të përfshirë.

Por zoti Dumani, duke folur lidhur me përdorimin e këtyre aplikacioneve tha se “Mbajtja e tyre nuk përbën vepër penale. Jo çdo bisedë që kryhej aty përben shkelje, por nëse ka komunikime që i kompromentojnë atëherë është çështje tjetër që verifikohen e merren masa”.