Platforma “Alibeaj”, ja si janë rreshtuar deputetët pro dhe kundër Berishës në grupin e PD

Platforma me pesë pika e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj nuk ka shërbyer aspak për bashkimin e demokratëve, por një shërbim duket se e ka bërë.

Për herë të parë opinioni publik ka një ide të qartë se si janë raportet në grupin e PD-së, cilët deputetë janë me Berishën, cilët kundër dhe kush janë deputetët që ende nuk kanë marrë një pozicion. 

Platformën e Alibeajt u njoftua se e firmosën 31 deputetë, numër ky që ndryshoi disa herë, pasi në mesditë arriti në 32, kur iu bashkua edhe Xhelal Mziu dhe në darkë zbriti në 30 pasi Xhelal Mziu dhe Greta Bardeli u bënë “pishman” për firmën që kishin hedhur. 

Në radhët e deputetëve që mbështesin dokumentin e kryetarit të grupit janë edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-nënkryetari i dorëhequr Alfred Rushaj, si dhe Gazmend Bardhi e Helidon Bushati. 

Nga ana tjetër 16 deputetë janë rreshtuar në grupin që mbështesin ish kryeministrin Berisha. Ky grup ka ardhur në rritje po të kihet parasysh se gjatë ditëve të para të Foltores jo më shumë se dhjetë deputetë ishin në krah të ish kryeministrit. Kështu, përveç mbështetësve të tij të kahershëm Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Luan Baçi dhe Tritan Shehu, grupit rrugës iu shtuan edhe Xhelal Mziu, Sorina Koti dhe Elda Hoti. 

Në të njëjtën kohë në grupin e PD-së me 52 deputetë, ka edhe një pakicë që nuk janë rreshtuar as me Alibeajn dhe as me Berishën. Mes tyre janë Ervin Salianji, Grida Duma, Tomor Alizoti dhe së fundmi Greta Bardeli. Ajo fillimisht kishte firmosur për platformën e Alibeajt dhe në mbrëmje përmes një njoftimi të Drejtoreshës së Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo, u njoftua se deputetja e Shkodrës e kishte tërhequr këtë mbështetje. 

Në këtë mënyrë dokumenti i propozuar nga Alibeaj i ka bërë një shërbim opinionit publik dhe demokratëve, ka krijuar një tablo të qartë se sa mbështetje kanë grupimet brenda grupit parlamentar e nga ku del se ish-kryeministri Berisha është ende në minorancë.  

foto galeri