Plagosja në Podgoricë, plumbat e zunë në këmbë, Zeqir Mekati në luftë kundër grekëve
Në emisionin Autokton të gazetares Anila Ahmataj u trajtuan ngjarjet historike të vitit 1852.Krerët shqiptar të internuar pranë Sirisë dhe ndryshimet luftarake në brezat e rinj.
Koha vazhdoi betejë pas beteje dhe ndaj atdheut në çdo kohë sakrifikohej jeta… Vendin qendror e zë figura atdhetare e Ismail Mekatit, një nga krerët luftarake të trevës, quajtur osmanisht, Kazaja e Vlorës, me një veprimtari të gjatë atdhetare në fushën luftarake, tipar i kohës. Luftërat e betejat në të cilat ka bërë pjesë herë me rolin modest të luftëtarit, e herë me atë të drejtuesit përgjegjës luftarak, por mes tyre shfaqet edhe një tipar i rrallë të cilin e hasim nga mesi i shekullit XIX, diplomacia.
Kjo evidentohet me letrën që i dërgohet nga kryengritësit shqiptarë mbretit grek, ku personazhi historik ka nënshkruar mes krerëve të tjerë të Shqipërisë së Jugut, madje me një qëndrim domethënës. Të tjerë pasardhës, qoftë paralel me të, apo qoftë në kohë më të vonë janë përpjekur maksimalisht të ndjekin gjurmët, duke ngjasuar sado pak figurës së tij, e cila dominon si në kohëzgjatje. ashtu dhe në protagonizëm si pjesëmarrës e fitues betejash. Në një larmi historike na jepet nëpërmjet këngëve popullore të kohës, arsyet përse luftëtarët shqiptarë nuk e pushuan luftën për liritë e të drejtat brenda pushtetit osman, por edhe sakrificave ekstreme në luftë për mbrojtjen e kufijve të atdheut ndaj lakmive dhe agresioneve fqinje.
Në vitin 1852 Ismail Mekati, me një pakicë krerësh i internuar pranë Sirisë,po haste vështirësi per tu kthyer në atdhe, Gjatë mungeses se tij kishin ndodhur ndryshime luftarake në brezat e rinj. Dy djemt e tij Rushiti e Zeqiri kishin kohë që mobilizonin djemtë e rinj. Mes një konflikti ku Ismail Mekati kërkonte që detashmentet luftarakë të ishin luftëtarë të rinj e të vjetër, i biri, Rushit Mekati këmbëngulte tek ata të rinj. Rushit Mekati me një shumicë luftëtarësh të rinj, u nis së bashku me te atin Ismailin në drejtim të Shkodrës.
U nisnë për Karadakë,
Rushit e Smail Mekat,
Ca të rinj e ndonjë plak,
Ju sos tabori në prak..
Babë e bir filluan të konfliktoheshin njëri me tjetrin, por këto lloj fyerjesh mund ti çonin në një konflikt mes tyre, në një kohë që nuk dihej se çfarë të papriturash rezervonte Veriu shqiptar.
Kur vanë ishin mirë,
Në Shkodër më të gëdhirë,
Po haeshin babë e bir,
Tabori mbet i çudirë,
Ti lugat, e unë lesh hirrë..
Konflikti u bë edhe më i forte gjatë rrugës, dhe në afërsi të Shkodrës ata te dy vendosin te ndahen, i biri Rushit Mekati vazhdoj me pjesën më të madhe të detashmentit rrugën për në luftë ndaj malazezëve.
Në sabah u ngrinë e panë
Kuajt kaptuar matanë
Smail Mekatit me nam
Çikëndi nga sytë i vanë
Vrer po i nxirrte xhanë
Do ta kish vrarë evlanë…
S’më turpëroi dot Turqia
Me syrgjyn Anadollia
Jo të më turpërojë fëmija
Se s’më tha dot Perëndia
Kokën pa lindur ja prija..
Forcat më të stërvitura ishin ato te Hodo Nivicës, pasuar nga ato të Kurveleshit, Kazasë së Vlorës dhe Mallakastres
Hodua me gjith’Gjolekë,
Me trima toskë dhe gegë,
Iu ngjitën malit përpjetë..
Në zonën e Oblikut Ismail Mekati u nis me një numër njerëzish ndaj njësive të rregullta malazeze. Trupat e tij me një eksperiencë të madhe kishin në krye një njeri i rrëmbyer me arsyen e mjegulluar pasi mendimet e tij ishin qe ndarja mes gjeneratave nuk mund te ishte në këtë formë.
Marrim lart, jo përposh,
Smail Mekati u thosh
Do sosim në Tarabosh
Që lart Karadak’ ta shoh,
Të njëzetë në majë u ngjinë
Smaili sa nxorri dylbinë
Dëgjoi bataretë ti vijnë
Plumbat i thyen kërcinë..
Në këtë përleshje Ismail Mekatimbetet i plagosur rëndë i cili kishte mbetur pa ndjenja , i larë në gjak.
E prunë në vete e ngrinë,
Hapi sytë me vilaninë,
Bërtiti me ulërimë
Më hidhni mu në greminë
Që as korbat mos ta dinë
Nuk duhem as për tainë..
Forcat e Hodo Nivicës u takuan me mekatasit në malësitë e Taraboshit pa e ditur që i plagosuri ishte Ismail Mekati.
Doli tabori në malë,
Nivicjotë më këmbë e kalë
Hodo trimi mu në ballë..
Kush është ai trim në krahë,
Sosni në Shkodër se ka
Dhe heqimë dhe xherahë..
Sapo dëgjoi zërin e Hodos Ismaili nuk e deshi veten që ta shikonin në atë gjëndje dhe dhe ra në kllapi përsëri.
Ymrin t’ja kurseni prapë
Se duhet me karadakë
Të luftojë në këtë vapë
Asnjë pikë gjaku mos japë..
Mekatas nuk dhanë xhevapë
Smaili mbytur në gjak..
Në Shkodër sosën më darkë
Unjur po preheshin pakë
Ngisnin pallat me masatë..
Bashkëluftëtarët e lanë Ismailin në një shtëpi në besë, duke lënë që të kujdesej për të një nga luftëtarët më të rinj. Ata u kthyhen përsëri në fushën e luftës, udhëhequr nga zvendësi i tij Halim Çobo, por pjesa e komanduar nga i biri, Rushit Mekati po luftonte me sukses, në afërsi të Shpuzës. falë energjisë së moshës së re.
Natën ra një shi i ftohtë
Dyfeqet me kokë poshtë
Rushit Mekati ç’u thosh
Mos të shikoni përposh
Djema, se bini në buzë
Ndaj të lidhur me tërkuzë
Natën të sosim më Shpuzë..
Forcat e Hodo Nivicës nuk e morën vesh në takimin e parë me të birin Rushitin, se i plagosuri ishte vetë Ismail Mekati. Rushiti fare natyrshëm krenohet me emrin e të atit, si një emër i njohur e i dëgjuar.
Hodo Nivica mbi kalë,
Nga të kemi ty mor djalë?
Jam i Ismail Mekat,
Dhe e kamte këtë fat
Ku është nashti yt atë?
Kam luftuar në Berat..
Në yxhym nuk linte radhë
Do bjeri dardha nën dardhë..
Lufta në territoret shqiptare pranë Malit të Zi nuk kurseu as jetët e prijësave legjendë që kishin vënë perandorinë osmane në aq shumë vështirësi, Hodo Ali Nivicën,Zenel Gjolekën me gjithë një masë të madhe luftëtarësh të Jugut shqiptar.
Fundi i tyre tragjik ishte Legjenda e shekullit 19-të
Pas dy vitesh një tjetër invazion do të vinte nga Jugu, pikërisht nga grekët, që Ismail Mekati me krerët e tjerë u kishin kërkuar ndihmë dhe ishin zhgënjyer.
Mëria e Ismail Mekatit ndaj të birit Rushit, bëri që ai të mbështetej tek djali tjetër Zeqir Mekati. Në skenën e luftës kishte mbetur legjenda Çelo Picari. Ismaili dhe Zeqiri nisen drejtë Gjirokastrës e Delvinës duke takuar Çelo Picarin dhe forcat e tij, të cilët i treguan për mizoritë greke në Mecovë. Për çudi në krye të ushtrisë greke gjendeshin luftëtarët arvanitas suliotë.
Taborët lanë Top Alltinë
Himara i pret të vijnë
Tjatri udhës për Janinë
Çelo Picarin e prinë
Sa ranë për në Delvinë
Kush na qënka ai trim,
T’i djeg fakirit shtëpinë?
Suliotët të parët prijnë
Pa morajtë besë nuk dinë
Mecovës kanë bërë kërdinë..
Ismaili dhe Zeqiri mbrrijnë në zonën e Ibrahim Sinos dhe iu drejtuan Kallabakës, ku po mbërrinin me shpejtësi forcat greke.
S’pushuan asnjë sahat
Smail e Zeqir Mekat
Udhë ditë e udhë natë
U sosën në Kallabakë
Brahimi të bjerë xhevap
Taborin t’a sjell’ me vrap..
Në betejat e ashpra të Kallabakës e Mecovës Kazaja e Vlorës ishte ajo që si gjithmonë vuloste fatin e vetë luftrave, prandaj forcat e Ismail Mekatit luftonin pranë atyre të Velçës të komanduara nga Selam Hasani i cili u vra në betejë.
Bir, o bir Selam Hasani
Gjak të kullon jatagani
Preve sa të deshi xhani
Se të qe zënë vatani..
Ngadalë koha po datonte vitin 1861, vit që ndahet nga jeta Ismail Mekati, qysh nga fillimi i shekullit XIX, pjesmarrës në pothuaj të gjithë ngjarjet kryengritëse të Jugut shqiptar, i cili i ka dhënë tonin luftarak shpirtit liridashës duke qënë në krye si ushtarak gjeneratave të kohës. Ky ishte një detyrim në formë amaneti që u dilte bijve të tij në mbrojtjen e territoreve shqiptare.
Në mëngjesin e 12 shkurtit të vitit 1878 grekët fillojnë të zbarkojnë trupa ushtarakë në Sarandë dhe Lëkurës.
Në Kazanë e Vlorës lajmi kish ardhur e u përhap menjëherë nëpër krerët vëndas dhe kazaja ishte gati. Rushit e Zeqir Mekati bënë gati për gjithë natën armët, ushqimet dhe kuajt.
Zeqir e Rushit Mekat
Nisën taborin me natë
Dy ditë udhë e gjatë
Të tretën sosën më darkë
Arritën të depërtojnë nëpëmjet fshatrave të Bregut të Detit për në thellësi të luftës së Lëkurësit, aty ku po zhvilloheshin betejat luftarake me humbje të mëdha. Për këtë arsye e ndanë detashmentin në dy pjesë, njëri prej tyre me Rushit Mekatin në krye do të qëndronte me disa forca të tjera të Kazasë së Vlorës në Lëkurës, ndërsa Zeqiri do të vazhdonte rrugën në rajonin e luftimeve.
Forcat që po luftonin në Qafën e Gjashtës udhëhequr nga Idriz Alidhima kishin në betëjë pa ndaluar mbi dy ditë të kishin humbje të mëdha, mbi 46 luftëtarë.
Historia përsëritet Zeqiri ndihmohet nga Zenel Gjoleka, por përleshja ishte aq e madhe saqë Zeqiri mbetet I plagosur rëndë.
Kuçiotët në rrugullimë
U erdhi e shkreta ndihmë
Po mbahej me shpirt ndër dhëmbë
E kish marrë plumbi në këmbë..
Ndihmë iu dha edhe forcave Kaninjote të Hysenj Bimos .
Kapedanë Kaninjotë
Trima sot e trima motë
Të tjerët si poqa dotë
Kaza e Vlorës ka plotë..
Por forcat kaninjote këmbëngulin që të stacionohet tek Zeqir Mekati ndihma, pasi në rezen e tij të qitjes kanë zbarkuar shumë trupa, duke u mbuluar nga artileria e flotës me zjarr.
..Selam o Myslim Gjolekë
U bëfsh si lisi me degë
Dukesh, je i biri i t’et
Se mundi asnjë dovlet
U bë Vlladika sebep..
Pasi pushoi zjarri Myslim Gjoleka i drejtoi me kujdes forcat në ndihmë të atyre mekatase, duke i folur komandantit të tyre të plagosur me një ndjenjë përgjegjësie jo vetëm si ushtarak
Kabull o Zeqir Mekati
Të birit ja lë i jati
Pasurinë edhe takatin
Dhe turpin e taksiratin
Myslim Gjoleka ka fatin
Morajve t’u ndalë çapi
E në Korfus t’a mbajnë vrapin..
Kur ke babë Zenjel asllani
Vdes si ai për vatanin…
Forcat mekatase në gjëndje të vështirë detyrohen të lenë trupat nën komandën e Gjolekës së ri dhe së bashku me Zeqir Mekatin e plagosur tërhiqen në drejtim të veriut deri në Lëkurës, ku vëllai tjetër Rushiti po reziston me një kalvar vështirësish. Ndihma e forcave dukatase i nxorri nga situata kritike forcat mekatase në Lëkurës
Pa rënë dielli të shtunë
Zeqirin në krahë e prunë
Brënda në kala e shpunë
Istikamit radh’ u vunë
Plumbat vinin si furtunë..
Erdhi dhe fundi i pabesueshëm i betejës dy javore, nga 600 trupa të zbarkuar vetëm 110 mundën të largoheshin.
Në përpjekjet për gjuhën shqipe, pinjolli më i ri, djali i Zeqir Mekatit, Hasan Mekati merr pjesë në ardhjen e librave shqip nga Bukureshti në portin e Vlorës së bashku me Neim Bimon, i cili nuk i shpëtoi dot syrgjynit, si gjithmonë në Konjë të Anadollit. Hasan Mekati e priti mikun e tij dhe pas kthimit e derdhën urrejtjen atdhetare mbi shqiptarët tradhëtarë që ishin vënë në shërbim të politikave shkombëtarizuese e vrastare të Stambollit për mohimin e gjuhës amtare, duke vrarë kështu më 1903 klerikun që internoi vlonjatët atdhetarë.
Më 1911 në Kryengritjen e Toskërisë lufton përkrah trupave të Kazasë së Vlorës, në ndihmë të atyre të Mallakastrës, në betejën e Pazarit të Cakranit dhe asaj të Tepelenës.
Fundviti i 1912-ës e gjen në luftë kundër grekëve në Bregun e Detit nën komandën e mikut të tij, Eqrem bej Vlorës, me të cilin kishin afër pasuritë pronësore në Llakatund e Mekat. Në momentin që Austriakët kërkonin Syrja bej Vlorën, mbetur në rrethim të Shkodrës, ata me sa duket u detyruan të kërkonin me ngut Eqrem bej Vlorën me sa duket për shpalljen e Pavarësisë, ku edhe ky ishte i zënë me luftën ndaj grekërve. Për këtë gje Hasan Mekati këmbëngul që të realizonte Eqrem beu këtë gjë.
Bëje tani shpejt ti Shqipërinë Qerem bej, se me grekët po luftojmë tani, po një jetë që vin më prapa?
Por viti 1914 e takoi me monarkun gjerman princ Vidin në sarajet e Vlorajve
ky vit solli dhe kryengritjen islame të Shqipërisë së Mesme, një lëvizje antikombëtare me turma haxhiqamiliste vrastare për çdo gjë shqiptare, shpirt, gjuhë e komb.
Por në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjës, i cili vendosi bashkimin e krahinës së Vlorës nën Italinë me çdo kusht me Shqipërinë, u bë një kuvend në Baçalla të Dukatit, ku në krye u vendos Osman Haxhiu. Nga shtabi qëndror i luftës Topalltija do të krijonte çeta ndihmëse dhe vrojtuese me në krye Neki Hoshtimën, pa përfshirë forcat e Mekatit. Hasan Mekati përherë qëndronte në fshatrat pranë frontit të luftës, ai afrohet me një trupë prej gjashtë vetësh për të ndihmuar mallakastriote për ndihmë.
Kjo ndërhyrje e Hasan Mekatit në krye të forcave të Topalltisë, tregoi se sa vlen në luftë një lëvizje strategjike.
Hasan Mekati vazhdoi jetën e tij me ndjenjë ndaj atdheut. Ai nuk i harroi kurr miqetsitë
Në vitet 1925-1927 kur miku i tij Eqrem bej Vlora duke mos pasur njerëz të besueshëm për të kqyrur pasuritë e tij në fushat e Llakatundit, kërkoi ti shkëmbente apo shiste ato toka, pikërisht me Hasan Mekatin dhjetra sipërfaqe pronësore në të gjithë territoret Mekat-Llakatund, e konfirmuar kjo nga dokumentet arkivore të shkëmbimeve dhe shitblerjeve.
Hasan Agë Mekati kështu thirrej dhe kështu mbeti…
Në oborret dhe territorin e Mekatit duket sikur lufta nuk ka ekzistuar kurrë dhe se heshtja dhe abandonimi i këtij territori është vrastare. Brenda këtij fshati dikur gumzhinin mbledhje dhe oshtinin zërat e burrave me emër.Odat kanë mbetur vetëm rrënoja. Dikur aty priteshin miq të rëndësishëm. Sot banorët janë të paktë shtëpitë janë ende me konstrukt guri, si dikur. Mes mureve në formën e një fortese gjendet edhe shtëpia e Zigur Mekatit, pasardhësit të Ismail Mekatit, i cili e ndërtoi shtëpinë mbi truallin dhe themelet e odave të tij…
Pasardhësit e vonë janë përpjekur maksimalisht të ndjekin gjurmët e paraardhësve , larmia historike nëpërmjet këngëve popullore na tregon se përse luftëtarët shqiptarë nuk e pushuan kurr luftën për liri dhe mbrojtjen e kufijve të atdheut.