Piero Fasino: Italia kërkon nga BE ndryshim dramatik të dinamikës së procesit të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor
Shkup, 9 prill Me Piero Fasino, anëtar i Dhomës së deputetëve në Parlamentin italian dhe kryetar i Komisionit për punë të jashtme në bisedë për eurointegrimin e vendit, veton e Bullgarisë, ndikimin e krizës ruso-ukrainase në procesin e zgjerimit, si dhe në rolin e BE-së në përgjithësi.
Fasino i cili është anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku është kryetar i Komitetit për ndjekjen e respektimit të detyrimeve dhe angazhimeve nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës dhe nënkryetar i Komisionit politik, në intervistën përqendrohet edhe në implementimin e aktgjykimeve nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në favor të minoritetit maqedonas në Bullgari.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat nga viti 2005, ndërsa nga viti 2009 merr rekomandim për përmbushjen e kushteve për fillimin e bisedimeve me BE-në. Më shumë se një dekadë ishte e bllokuar nga Greqia për shkak të kontestit për emrin, ndërsa tani përballet me bllokadë të re nga Bullgaria. Si e vlerësoni situatën me veton bullgare për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe dialogun rrjedhës mes dy palëve për tërheqjen e saj?
– Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është zgjedhje strategjike që është në interes edhe të Ballkanit edhe të Evropës. E dimë se në Ballkan kishte luftë tragjike, brutale dhe të përgjakshme nga viti 1991 deri në vitin 1995, ndërsa Srebrenica u bë simboli i saj. Në fund të kësaj lufte, bashkësia ndërkombëtare u tha vendeve që morën pjesë në të se stabiliteti dhe siguria e tyre do të jetë e siguruar përmes integrimit të tyre në institucionet euroatlantike, respektivisht Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Sa i përket BE-së, ky angazhim u vërtetua zyrtarisht në Këshillin Evropian në Selanik në vitin 2003. Nga Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995 kaluan 27 vite, nga Këshilli Evropian në Selanik kaluan 19 vite. Kjo është një periudhë e gjatë kohore me çka sjellja e BE-së nuk mund të arsyetohet. Më kujtohet se zgjerimi me Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Republikën Çeke është bërë në vitin 2004, 15 vite pas rënies së Murit të Berlinit, ndërsa tani gjendemi 27 vite pas Dejtonit, 20 vite pas Selanikut dhe procesi ende është në rrjedhë dhe nuk e dimë se kur do të përfundojë. Besoj se nuk mund të pranojmë një ritëm të tillë të ngadalshëm. Bashkimi Evropian duhet ta ndryshojë ritmin e vet, bisedimet duhet të përshpejtohen për aderimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në raport me Maqedoninë e Veriut, është e nevojshme të thirret konferencë ndërkombëtare në mënyrë që të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE në disa muajt e ardhshëm. Vetoja bullgare duhet doemos të tërhiqet dhe konsideroj se nuk mund të pranojmë që një vend anëtar i Bashkimit të imponojë vetë mbi aderimin e vendeve të tjera. Kjo paraqet shkelje evidente të rregullave të funksionimit të Bashkimit Evropian. Në muajt e fundit ka bisedime mes kryeministrit të ri të Bullgarisë dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe shpresoj se këto bisedime mund të sjellin marrëveshje shumë shpejt dhe tërheqje të vetos bullgare. Bashkimi Evropian duhet të bëjë çmos që është në fuqinë e saj që këto bisedime të marrin epilog pozitiv dhe të tejkalohet vetoja bullgare. Duhet t’i fillojmë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duhet të përshpejtohen bisedimet rrjedhëse me Serbinë dhe Malin e ZI dhe është e nevojshme që t’u ofrohet perspektivë evropiane Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës. Në gjithë këtë, Bashkimi Evropian duhet ta përshpejtojë ritmin e vet.
Kriza ruso-ukrainase, e cila hyri në muajin e dytë, konfirmoi se procesi i zgjerimit të BE-së, nuk është vetëm çështje politike, por edhe e sigurisë. Si do të ndikojë kjo në rolin e BE-së në rajon?
– Po, kjo luftë e shtyu BE-në që t’i kushtojë vëmendje sigurisë së saj. Tashmë 80 vite jetojmë në paqe dhe mësohemi me mënyrën e tillë të jetës dhe mendonim se asgjë nuk mund ta prishë këtë. Megjithatë, kemi luftë në zemër të Evropës dhe duke marrë parasysh rreziqet që i sjell lufta, është e nevojshme të sigurohet sistem i sigurisë dhe mbrojtjes i Evropës, jo përmes zhvillimit të luftës, por të zmbrapset secili që dëshiron të hyjë në përleshje ushtarake në Evropë. Kështu që, kjo paraqet temë emergjente në të cilën duhet punuar. Disa ditë më parë Këshilli i Evropës i miratoi udhëzimet fillestare të Kompasit strategjik, gjë që paraqet strategjinë e sigurisë evropiane, strategji kjo që përfshin sistemin evropian të sigurisë si plotësim të sistemit të NATO-s. Bashkimi Evropian ka politikë të fuqishme të jashtme dhe të sigurisë që duhet doemos të jetë mjaft e qartë në mënyrë që të mbrojë Evropën nga çfarëdo rreziqesh të mundshme nga lufta.
A do të përshpejtohet apo ngadalësohet procesi i integrimit në BE për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, pas kërkesës së Ukrainës për aderim të shpejtë në Bashkimin?
– Konsideroj se aplikimi nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia që të bëhen anëtare në BE duhet të implikojë edhe përshpejtimin e bisedimeve për anëtarësim të vendeve nga Ballkani Perëndimor që janë në fazë më të avancuar në procesin e aderimit, meqë Serbia dhe Mali i ZI tashmë janë në procesin e bisedimeve, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë para hapjes së bisedimeve, kështu që tani për tani ato janë në fazë më të avancuar në krahasim me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, të cilat aplikuan për t’u bërë vende kandidate. Dhe kjo është arsyeja pse BE-ja duhet ta përshpejtojë ritmin. Konsideroj se është dëm që kaluan 20 vite pa proces të zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor dhe askush nuk mund t’i thotë Ukrainës se do të duhet të presë 20 vite. Prandaj, duhet të përshpejtohen bisedimet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe dhënia e statusit të kandidatit për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, pra dy procese që duhet të zhvillohen njëkohësisht.
A mund të kontribuojë kjo situatë e re, ky realiteti i ri në Evropë me krizën evropiane, në heqjen më të shpejtë të vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut?
– Po, vërtet shpresoj. Besoj se liderizmi bullgar është i vetëdijshëm, në dritën e luftës në Ukrainë, e cila është shumë afër Bullgarisë, se pikërisht kjo luftë e tregon domosdoshmërinë që BE-ja të jetë më kohezive, koherenten dhe më e fuqishme, ndërsa një Evropë e tillë më e fuqishme duhet t’i përfshijë vendet nga Ballkani Perëndimor.
Në këtë krizë ruso-ukrainase të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për nevojën e përshpejtimit të eurointegrimit të Ballkanit Perëndimor. BE-ja është garantues i sigurisë për të gjitha vendet – për ato që tashmë janë vende anëtare, por edhe për ato vende që duan t’i bashkohen, siç janë vendet nga Ballkani Perëndimor, por gjithashtu edhe për vendet, si Ukraina dhe Moldavia, të cilat janë objekt i presionit shumë të madh nga Rusia, që i sjellë në pikëpyetje sovranitetin dhe pavarësinë e tyre. Presidenti Zelenski e kombinoi neutralitetin e Ukrainës me aplikimin për anëtarësim në BE, meqë Ukraina mund të jetë dhe deklarohet si neutrale. Por, sidoqoftë, ajo dëshiron të jetë nën ombrellë të sigurisë dhe kjo mund të sigurohet nga BE-ja. Bullgaria duhet të kuptojë se në këtë kontekst të rëndë dhe tragjik, në një situatë të këtillë tragjike, vetoja nuk mundet dhe nuk guxon të vazhdojë.
Anketat në vend vërtetojnë se ekziston dëshpërim dhe frustrim i madh nga vonesa e bisedimeve aderuese me BE-në, veçanërisht pas një vargu të rekomandimeve të KE-së për fillimin e bisedimeve, se si t’i kundërvihemi evroskepticizmit në vend dhe t’i parandalojmë të rinjtë të largohen?
– Kjo pyetje e konfirmon atë që unë e thash tashmë, se ritmi i ngadalshëm me të cilin BE-ja e udhëheq zgjerimin dhe i menaxhon raportet e tij me vendet e Ballkanit Perëndimor në 20 vitet e fundit prodhoi tri pasoja negative. Së pari, mendimi publik i Ballkanit Perëndimor u bë më shumë i frustruar, ata kishin pritje që t’i bashkohen BE-së. Qytetarët e këtyre vendeve konsideronin veten qytetarë evropianë, por e shohin se dera e BE-së po hapet shumë ngadalë. Pra, pasoja e parë negative është frustrimi në opinionin publik.
Pasoja e dytë është që ritmi i ngadalshëm gjithashtu krijoi hapësirë për lojtarë të tjerë në rajon – Rusinë, Turqinë, Kinën, EBA-në. Në këtë mënyrë, BE-ja vihet në rrezik që t’ua japë rajonin lojtarëve të tjerë dhe kjo do të ketë pasoja shumë negative. Pasoja e tretë është se vendet kandidate si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, duhet doemos të zbatojnë reforma për harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së, por për shkak të ngadalësisë së BE-së ata i ngadalësuan reformat, gjë që në mënyrë plotësuese kontribuoi në ngadalësimin e integrimit evropian. Është e qartë si kristali se koha po kalon dhe kjo nuk do t’i zgjidhë problemet, përkundrazi, do t’i ndërlikojë ato. Prandaj, është e nevojshme që BE-ja ta ndryshojë dinamikën, ta përshpejtojë atë.
Ky nuk është vetëm mendimi im personal, por edhe qëndrim i vendit tim Italisë, i Qeverisë dhe i Parlamentit. Italia kërkon nga BE-ja ndryshim dramatik të dinamikës së procesit të integrimit evropian për vendet nga Ballkani Perëndimor. Është lëshuar shumë kohë, është e nevojshme të sigurojmë përgjigje të shpejta për një kohë të shkurtër për shkak të stabilitetit dhe sigurisë së këtyre vendeve dhe të Evropës në tërësi. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të NATO-s, prandaj nuk ka arsye që BE-ja të jetë më e ngadalshme se NATO-ja. Nevojitet qasje më ndryshe nga BE-ja me qëllim që ta përfundojmë këtë proces të aderimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin, veçanërisht kur edhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia parashtruan aplikime për integrim në BE. Na nevojitet kërcim kuanti dhe ky është pozicioni i të gjitha forcave politike në Parlamentin e Italisë, edhe të shumicës në pushtet edhe të opozitës. Ne në Komisionin për punë të jashtme jemi duke punuar një kohë shumë të gjatë së bashku me kolegët tanë nga komisionet nga vendet e Ballkanit Perëndimor në mundësinë për përshpejtimin e bisedimeve me qëllim që të kemi epilog pozitiv nga ky proces.
Fasino, ju jeni kryetar i Monitoring Komitetit për ndjekjen e respektimit të detyrimeve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Si e vlerësoni gjendjen me minoritetin maqedonas në Bullgari dhe mospërmbushjen e detyrimeve në raport me 16 aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut?
– Këshilli i Evropës filloi monitorin-procesin për ndjekjen e zbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Bullgari. Është miratuar rezolutë nga Këshilli i Evropës dhe në rrjedhë janë postmonitoring-aktivitetet për kontrollimin e zbatimit të rekomandimeve të përfshira në rezolutën. Këshilli i Evropës është i përkushtuar në verifikimin e harmonizimit të Bullgarisë dhe të gjitha vendeve të tjera anëtare me aktgjykimet nga institucionet e Këshillit të Evropës.

